Rashiti: Kosova është ajo që duhet të lëvizë e para në mënyrë strategjike
M.Miftari/RTKlive
Naim Rashiti, njohës i proceseve politike, ka folur për situatën në vend, me theks të veçantë për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Rashiti ka thënë se dialogu pa vazhdon të ngelet varrë mbi proceset e Kosovës, po e ngadalëson avancimin e saj, duke e ngulfatur shpesh agjendën e shtetndërtimit dhe, siç u shpreh ai, po i cenon marrëdhëniet e saj me Perëndimin, me ata që e kanë njohur Kosovën.
“Ky proces prej viti në vit, prej qeverie në qeveri po vështirësohet, do të jetë proces shumë i komplikuar dhe parametrat tjerë po ndryshojnë për të keq. Të gjithë kemi shpresuar se së paku me fatkeqësinë e Ukrainës kemi shpresuar se Perëndimi do të këndellet pak se do ta vendos Ballkanin Perëndimor në agjendë më të mirë, do të vë presionin e duhur mbi Serbinë dhe do ta avancojë dialogun, por ka ndodhur e kundërta dhe BE-ja po e humb peshën e vet për zgjidhjen e këtij konflikti dhe, natyrisht, Serbia po gjen rrugën t’i devijojë kësaj dhe të ashpërsojë diskursin e saj në raport me Kosovën në veçanti, por edhe rajonin, që e bën më të vështirë zgjidhjen e konfliktit të hapur”, ka deklaruar Rashiti në “InfoPlus”, në RTK.
Tutje, ai shtoi se problemi kryesor mbetet përbrenda Kosovës, sepse, sipas tij, elita politike nuk po e gjen rrugën institucionale për ta përmbyllur guximshëm këtë çështje, për ta avancuar procesin e integrimit të veriut të Kosovës, për ta përmbyllur konfliktin me Serbinë, së paku për ta bërë pjesën e vet.
“Herët a vonë do të ketë kompromise, nëse do të quhen të dhimbshme, që për mua nuk është ashtu, sepse nuk e cenon pavarësinë e Kosovës, por në fakt e vendosin pavarësinë e saj në hartën ndërkombëtare, organizatën ndërkombëtare përfshirë në procesin e integrimit në BE dhe në NATO”, ka thënë ai.
Rashiti përmendi rastin e Maqedonisë, rrugëtimin e saj në integrimet ndërkombëtare, derisa iu desh ta ndërrojë kushtetutën, emrin e saj, etj.
Ndërkaq lidhur me situatën aktuale, në aspektin e analizës dhe të përshkrimit të situatës, Rashiti vuri në dukje se qeveria e Kosovës e përshkruan drejt: Se ka ndryshuar për të keq Serbia, e cila ka qenë gjithnjë keq, por ka ndryshuar për të keq edhe BE-ja, por që kjo, siç gjykoi ai, është jashtë kontrollit të Kosovës. “Kosova duhet të fokusohet në atë që do të bëjë me një guxim politik. Situatat rrethanore kërkojnë guxim rreth kompromiseve, herë më shumë e herë më pak. Por në situatën aktuale elitës politike i kërkohet shumë më shumë guxim dhe po aq kompromis”, vuri në dukje Rashiti, derisa shtoi se nëse këto çështje nuk zgjidhen tani, për elitën tjetër do të jetë edhe më vështirë se kaq e, për pasojë, shteti do të pësojë dhe kualiteti i jetës së qytetarëve do të përkeqësohet e që për mendimin e Rashitit, do të ishte mirë që elita politike të përcaktohet në zgjidhjen e problemeve, pa kalkulime elektorale.
E për dokumentin franko-gjerman Rashiti ka thënë se është dokument i mirë konceptualisht, një bazë mbi të cilin do të mund të ndërtohej procesi i normalizimit, por që ai dokument, veçanërisht aneks-marrëveshja e Ohrit ka humbur vlerën e saj e për këtë ai fajëson ndërmjetësuesit, ngase, sipas tij, palët nuk janë përcaktuar e të obliguar për zbatim, derisa paralajmëroi se duke qenë i tillë gjithnjë e më shumë do të bëhet më i dëmshëm për procesin e më i dëmshëm për Kosovën.
Në kuadër të kësaj, Rashiti tha se Kosova do të duhej të gjente aleatë të saj për ta shtyrë procesin tutje për të rregulluar disa çështje të saj, siç është veriu i vendit, por edhe anëtarësimi në disa organizata ndërkombëtare.
“Për të dalë nga kjo situatë duhet një inovacion politik, strategjik dhe një farë ndërmarrje ndërkombëtare e Kosovës me miqtë e saj për t’i bindur se do ta implementojë pjesën e vet, duke kërkuar mbështetje për anëtarësim në disa organizata ndërkombëtare e duke mos llogaritur aq shumë në përmirësimin e mirësjelljes së Serbisë”, ka thënë, mes tjerash, Rashiti në “InfoPlus”, në RTK.
Ai, më tej shtoi se në rrethanat e stome Kosova është ajo që duhet të lëvizë e para në mënyrë strategjike.
“Kosova duhet ta përdorë asociacionin për ta kontrolluar veriun e për t’i integruar serbët. Këtë do të mund ta bënte me miqtë e saj ndërkombëtarë”, ka deklaruar Rashiti.























