Përplasja e Kurtit me ndërmjetësit, analistët: E pritshme|Video
M.Miftari/RTKlive&Sh.Gashi/RTKlive
Pas takimit të pasuksesshëm në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe të ndërmjetësuesve të BE-së, me ç’rast pasuan deklaratat e kryeministrit Kurti ndaj të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, për anim kah Serbia, por edhe deklaratat nga përfaqësues të shteteve të Perëndimit në mbështetje të Lajçakut, ka ngjallur debat lidhur me gjendjen në të cilën ndodhet Kosova, rrugëtimi i saj në procesin e dialogut.
Për të diskutuar për këtë çështje Avni Spahiu, ish-ambasador i Kosovës në SHBA e Turqi, në RTK Prime ka thënë se është një dështim që gjithnjë e më shumë po bëhet më i rëndë, se vazhdimi pa kufi i këtij dialogu, pa marrë parasysh se faji i kujt është. "Jemi në një rrugë pa krye që vështirë të dilet", ka thënë ai.
Ndërsa sa i përket çështjes së Lajçakut, për Spahiun nuk është ndonjë befasi, se ky është një problem, siç tha ai, që ka përshkuar procesin që nga fillimi, "ngase si Lajçak ashtu edhe Borrell, vijnë nga vendet të cilat nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, derisa kujtoi kohën kur ata ishin ministra të vendeve të tyre, të cilët ishin zëshëm kundër shtetësisë së Kosovës".
Spahiu përmendi edhe zëdhënësin e BE-së, Peter Stano, i cili, gjithashtu vjen nga vendi që nuk e njeh Kosovën.
“Është disi e pakuptueshme se si prej vendeve të BE-së, pesë vendet mosnjohëse mund t’ju imponojnë shumë shpesh një atmosferë që nuk është në favor të Kosovës, përkundër faktit që pjesa dërmuese e BE-së e njohin shtetësinë e Kosovës e që pritej që ato të ishin më të zëshme në mbrojtje të vendit tonë”, deklaroi Spahiu në RTK Prime.
Spahiu foli edhe për mënyrën e reagimit të përfaqësuesve tanë me qarqet ndërkombëtare, që sikundër tha ai, mund të mos jetë adekuate mënyra e të shprehurit të pakënaqësisë, por se, sipas tij, ka kanale diplomatike përmes të cilave mund të adresohet.
“Duhet ditur se Kosova nuk e ka atë mundësi të përcaktojë se kush do të jetë përfaqësues nga BE si ndërmjetësues, prandaj duhet pasur kujdes në aspektin e komunikimit diplomatik”, deklaroi Spahiu.
Ndërkaq politiologu Milazim Koci tha se deklarimi i kryeministrit Kurti, pas takimit ishte rrjedh e një situate të krijuar atje brenda dhe atë në një periudhë të shkurtër prej dy-tre orësh.
Ai u shpreh se është e pakuptueshme se pse Bashkimi Evropian, pse ndërmjetësuesit, paraprakisht, merren vesh me palën serbët për një dokument, të cilin pala kosovare nuk kishte dijeni.
“Mendoj se këtu ishte shkaku i çarjes së madhe që ndodhi. Ai u gjend para aktit të kryer në kuptimin që ne jemi pajtuar, se nuk ishte ofertë për negociata, në një farë forme ‘merre ose lëre’. Pra ose ta pranosh ose të shpallesh fajtor”, tha ndër të tjera Koci.
Tutje, ai foli edhe për reagimet e ambasadorit Hill, i cili kishte thënë se nuk mund të ketë zgjidhje të imponuar, sepse ato nuk mund të jenë të qëndrueshme”, që sipas Kocit, kjo është para së gjithash vërejtje për BE-në, për arsye se, siç tha ai, nuk mund ta shpallni fajtor Kosovën në mënyrë të njëanshme.
Ndërsa Valon Murati, nga Lëvizja për Bashkim, shprehu bindjen se nuk ka qenë i painformuar kryeministri Kurti për dokumentin, ngase sikundër tha ai, kryeministri thotë se ky dokument na është prezantuar edhe më herët më 19 korrik ky dokument, që i është prezantuar zëvendëskryeministrit Bislimi.
“Pra pak a shumë është ditur se rreth çfarë çështje do të flitet në fund të ditës. Çdo gjë që ka ndodhur në bisedime ka ndodhur për Asociacionin. Pra se si është mbështjellë si është paketuar, se si quhet ai në fillim dhe mbarim, prej së paku nga shtatori i vitit të kaluar, kur është formuluar plani franko-gjerman”, deklaroi Murati, teksa shtoi se që nga koha kur ka dalë ai plan kam qenë i sigurt që as kryeministri Kurti e as presidenti Vuçiq nuk kanë qenë fare të interesuar që të zbatojnë asnjë pjesë të marrëveshjes.























