25 vjet nga rënia e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit
N.M. /RTKlive
Sot mbushen 25 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortes së tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, po ashtu njëra ndër luftëtarët e para të UÇK-së.
Fehmi e Xhevë Lladrovci, ishin ndër figurat më emblematike të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë, të cilët ranë më 22 shtator 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese heroike të Fehmiut, Xhevës dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së në fortesat e ngritura në Çiçavicë.
Bashkë me ta ra edhe studentja, Fatime Hetemi dhe shumë dëshmorë të tjerë. Fehmi Lladrovci ishte komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, emrin e të cilit do ta mbajë kjo brigadë.
Më rastin e shënimit të këtij përvjetori sot duke filluar nga ora 11:00 në sheshin “Fehmi Lladrovci”, do të bëhen homazhe pranë shtatoreve të tyre dhe do të vendosen buqeta lulesh.
Në shënimin e 25-vjetorit të rënies së heronjve të kombit, Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi – Lladrovci, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka njoftuar se do të marrë pjesë në nderime te Busti i Fehmi e Xhevë Lladrovci, në Drenas dhe te varrezat e Dëshmorëve në Gllanasellë.























