Maqedonci: Uniforma është trashëgimi e brezave që sakrifikuan për Kosovën
BKT
Lajme

Maqedonci: Uniforma është trashëgimi e brezave që sakrifikuan për Kosovën

M.Pasoma. / RTKlive

(E plotësuar, ora 10:20) Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në ceremoninë e diplomimut të rekrutëve të rinj të FSK-së tha se uniforma të cilën e mbajnë rekrutët e rinj, është vazhdimësi e përgjegjësisë dhe rezistencës.

“Duke qenë se pak kohë më parë kam lënë uniformën për ta pranuar detyrën e mbojtjes, uniformë të cilën e mbajta veshur për vite me radhë, marrë të drejtën t'u flas për peshën e uniformës e cila para se të jetë simbol i ushtrisë sonë, është identitet e trashëgimi e brezave që sakrifikuan për lirinë e Kosovës”, tha ministri Maqedonci.

302 nga 317 rekrutë arritën të diplomojnë suksesshëm në stërvitjen ushtarake. Ata filluan rrugëtimin e tyre trajnues më 24 korrik për ta përfunduar sot më 22 shtator.

“Formësimi juaj si ushtarak fillon këtu dhe s’duhet të përfundojë asnjëherë, ashtu sikurse s’duhet të humbë vullneti dhe gatishmëria e juaj për t’i shërbyer qytetarëve të vendit tonë”, u shpreh Maqedonci.

Komandanti i Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneralbrigade, Jeton Dreshaj tha se themeli i FSK-së përbëhet nga detyra, nderi dhe atdheu. “Sot ju bëheni pjesë e traditës ushtarake, themelet e së cilave vijnë nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga komandanti legjendar Adem Jashari dhe nga sakrifica e dëshmorëve të kombit”, tha Dreshaj.

(9:56) Nis ceremonia e diplomimit të rekrutëve të FSK-së

Ka nisur ceremonia e diplomimit të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Rekrutët e rinj i takojnë gjeneratës 01-2023, teksa ceremonia ka nisur me parakalimet e tyre në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj.


MË SHUME NGA Lajme