Hapet thirrja publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje
BKT
Lajme

Hapet thirrja publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje

M.Miftari/RTKlive

Në një konferencë për medie, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli foli për subvencionimin në pajisjen për ngrohjen, e cila, sot po lansohet thirrja e tretë e që do të jetë e hapur në platformën e-Kosova.

“Këtë vit jemi duke investuar për herë të parë shifër rekord prej 30 milionë eurosh, investime në sektorin e banimit, pra për qytetarët, për familjet, që është shuma më e madhe e investuar deri më tani në efiçiencën e energjisë në Kosovë, falë përkrahjes financiare të BE-së, në kuadër të pakos emergjente për energji prej 75 milionë eurove, që është vlera më e lartë për kokë banori në rajon të cilën ka përfituar Kosova nga kjo pako”, deklaroi ministrja Rizvanolli.

Ajo, më tej vuri në dukje se ministria që ajo drejton ka filluar implementimin e programit të efiçiencës së energjisë në sektorin rezidencial e që kap shifrën prej 10 milionë eurosh dhe përfshin investime në pajisje ngrohëse efiçiente, pajisje shtëpiake efiçiente e sisteme solare për ngrohjen e ujit, ku parashihet të përfitojnë rreth 20 mijë qytetarë me ç’rast bëri të ditur fazën e implementimit të këtij programi.

Tutje ministrja njoftoi për numrin e qytetarëve të cilët kanë përfituar subvencione në pajisje për ngrohje, etj. ku, sipas saj në një afat prej 35 ditëve kanë aplikuar 3750 qytetarë, që tregon interesimin e madh të qytetarëve në investimin në pajisje efiçiente.

“Në vazhdimësi të këtyre masave sot subvencionojmë thirrjen e tretë që subvencionon investime në pajisje ngrohëse eficiente si: pompë termike, kondicionerë, klimë të tipit inverter me efiçiencë të lartë, kaldaja e stufa individuale me biomasë, si druri e peleti”, tha ministrja Rizvanolli, teksa shtoi se investime në këtë masë janë kyqe për të rritur efiçiencën e energjisë për sektorin e banimit.

Rizvanolli, më tej njoftoi se rreth 907 familje, që jetojnë në asistencë sociale, do të ndihmohen në ngrohje, derisa shtoi se rreth 2000 familje do të përfitojnë në izolim të shtëpive të tyre.

“Thirrja për subvencionim të pajisjeve efiçiente të ngrohjes do të jetë e hapur në platformën: e-Kosova”, bëri të ditur ministrja Rizvanolli.

Masat e prezantuara sot synojnë mbështetjen e konsumatorëve familjarë, në veçanti konsumatorët në nevojë si investimi në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje e të cilat përfshijnë:

Pompë termike; 
Kondicioner/ klimë efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë);
Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket);
Stufa individuale me biomasë.

Vlera e subvencionimit për një pajisje pompë termike është tridhjetë përqind (30%) e vlerës investive, apo deri në 2000.00 €.

Kondicioner/ klimë (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), vlera e subvencionimit për një pajisje është dyzet përqind (40%) e vlerës investive, apo deri në 400.00 €. Për prindërit vetushqyes gjashtëdhjetë përqind  (60%)  e vlerës investive dhe deri në 550.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) subvencionohet gjashtëdhjetë përqind (60%)  e vlerës investive dhe deri në 550.00 €.

Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), subvencionohet shtatëdhjetë përqind (70%) e vlerës investive dhe deri në 1200.00 €.

Ndërsa, stufa individuale me biomasë, vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është shtatëdhjetë përqind (70%) e vlerës investive dhe deri në 435.00 €. Për prindërit vetushqyes nëntëdhjetë përqind (90%) e vlerës investive dhe deri në 560.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) subvencionohet nëntëdhjetë përqind (90%) e vlerës investive dhe deri në 560.00 €.

Pajisjet që blihen para datës së shpalljes së thirrjes nuk do të subvencionohen.

Afati për aplikim është gjashtëdhjetë (60) ditë kalendarike, nga dita që hapet thirrja, pra deri më datën 22 nëntor 2023.


MË SHUME NGA Lajme