“Beteja” për rektorin e Universitetit të Gjakovës, zgjedhet Drilon Bunjaku
Alban Selimi/RTK
Pas tri përsëritjeve të njëpasnjëshme të konkursit, Drilon Bunjaku është zgjedhur rektor i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”. Një ‘betejë’ e gjatë ka prolonguar zgjedhjen e rektorit. Emisioni “Udhëve” ka hetuar me javë të tëra arsyet e shtyrjes e të cilat sipas një grupi lidhen me pretendime për mos plotësim të kritereve nga ana e Bunjakut e në anën tjetër thuhet se këtij të fundit iu fsheh dosja me qëllim të eliminimit.
Drilon Bunjaku është zgjedhur të premten rektor i Universitetit të Gjakovës Fehmi Agani. Bunjaku, deri më tash ligjërues në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës ka lindur më 1988 dhe është doktor i shkencave teknike nga fusha e elektroteknikës dhe teknologjisë informative.
Ai u zgjodh sot rektor i Universitetit të Gjakovës, me gjashtë vota për dhe një të pavlefshme, në konkursin që u përsërit në tri raunde e duke lënë pas një debat që ngjalli reagime të shumta mes grupeve që ishin pro dhe kundër zgjedhjes së tij.
Emisioni “Udhëve” në RTK përmes një hulumtimi të realizuar që nga muaji gusht sjell para shikuesve “betejën” mes grupimeve për emrin e ri të rektorit të ri të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”.
Haxhi Kamberi ishte një kandidat tjetër për rektor të Universitetit Fehmi Agani në Gjakovë.
“Ka disa veprime të çuditshme të Këshillit Drejtues dhe mendoj se ata duhet të reflektojnë dhe duhet të punojnë në ritmin e nevojshëm për zhvillimin e Universitetit”, ka thënë Kamberi para emisionit Udhëve.
I pyetur se çka quan veprim të çuditshëm, ai këtë e ka ndërlidhur me faktin që në dy konkurse nuk është zgjedhur asnjë kandidat për rektor. Megjithatë, Kamberi është tërhequr në raundin e tretë. “Nëse kanë qenë katër pse asnjë nuk është zgjedhë”, tha ai ndër të tjera.
Majlinda Haxhikadrija është kryesuese e Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës Fehmi Agani.
Duke folur për arsyet e anulimit të njëpasnjëshëm të konkurseve, ajo tha se herën e parë komisioni ua dërgoi një listë, duke bërë shkelje, me ç’rast sipas saj, u referua emir i një personi me masë disiplinore. Sipas Haxhikadriut, bëhet fjalë për emrin e ish rektorit Arton Nimani, i cili “kishte një vendim të plotfuqishëm për shkarkim”.
Por, Nimani thotë se problem nuk ishte emri i tij por mungesa e dakordancës në subjektin që udhëheq me vendin për një emër për rektor, pasi sipas tij, është politika ajo që po ndërhynë dhe vendosë në zgjedhjen e rektorit.
Kryesuesja e KD të UGJ Mirlinda Haxhikadrija thotë se madje senati I fshehën të dhënat e kandidatit që sot është zgjedhur rektor. “Njërit kandidat iu fsheh dëshmia e punës. Kandidatit Drilon Bunjaku. Kandidati Drilon Bunjaku u ankua në Këshill Drejtues”.
Por, ish rektori Artan Nimani, nga i cili “drejtohet gishti” për gjithë këto pretendime, thotë se kjo nuk është e mundur të ndodhë e as nuk ka ndodhë. “Të dhënat janë publike. Nuk kanë qysh mu fshehë. Djali nuk ka as dy vjet që u zgjedhë profesor asistent. Nuk është diccka që mujmë me fshehë. Por megjithatë ata e kanë ba një shkelje dhe e kanë futë në votim Ata nuk e kanë zgjedhë (në konkursin e dytë - V.J.) për shkak të konflikteve të partisë në pushtet. Nuk kanë një dakordancë mes vete”, ka thënë Nimani. Edhe rektori i sapozgjedhur Bunjaku ngrehë pretendime të njejta se dosja e tij u fsheh me qëllim që të eliminohej nga gara.
Indiferent karshi kësaj situate megjithatë nuk kanë qëndruar studentët. Edhe ata, fajin për vonesat i atribuojnë Këshillit Drejtues. Arlinda Berisha, nga Parlamenti Studentor ka thënë se arsyet e prolongimit të këtij procesi ndërlidhen me ndikimet politike.
Emisioni Udhëve ka marrë edhe një prononcim nga ministrja e arsimit Arbërie Nagavci në lidhje me vonesat në zgjidhjen e rektorit.
Arbërie Nagavci, ministre e arsimit ka thënë për emisionin “Udhëve” se në Universitetin e Gjakovës “kemi pasë një situatë që nga komisioni që është themeluar nga senati ka reflektu me shkelje të të drejtave të një kandidati (Drilon Bunjakut - v.j.) Ka përfundu dhe është rishpallë konkursi dhe sipas saj, ccdo tentim për të penguar do të jetë i patolerueshëm.
Artan Nimani, ish rektor dhe udhëheqës i përkohshëm i senatit ka thënë se MASHT me në krye Nagavcin nuk e kanë prioritet Universitetin e Gjakovës.























