Borell flet me Kurtin e Vuçiqin: Kërkon qetësi e stabilitet
Gjeraqina Tuhina / Bruksel/ RTK
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell ka zhvilluar biseda të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Sipas komunikatës së lëshuar për shtyp, Borrell gjatë këtyre bisedave ka përsëritur se dënon fuqishëm agresionin e sotëm.
Shefi I diplomacisë evropiane, gjatë bisedave thuhet se ka përsëritur thirrjen e tij për sulmuesit të dorëzohen menjëherë dhe të mundësohet lirimi I pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, në mënyrë që ata të largohen të sigurt.
Gjithashtu ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit.
Përfaqësuesi i Lartë Borrell shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët dhe të dashurit e punonjësit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës dhe u uroi shërim të shpejtë punonjësve të policisë të plagosur.
“EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, po monitoron situatën në terren dhe është i gatshëm të mbështesë institucionet e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj, në përputhje me mandatin e tij dhe në koordinim të ngushtë me KFOR-in e NATO-s, ka konfirmuar Josep Borrell duke nënvizuar se Përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovën në terren është në kontakt të ngushtë me autoritetet vendore.























