Lajçak flet për ‘sulmin tronditës’ dhe rëndësinë e dialogut e bashkëpunimit
BKT
Lajme

Lajçak flet për ‘sulmin tronditës’ dhe rëndësinë e dialogut e bashkëpunimit

N.M. /RTKlive

Emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ka bërë edhe një postim tjetër mbi zhvillimet e djeshme në veri të vendit ku nga grupet terroriste serbe, mbeti i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Lajçak, në një postim në rrjetin social, Facebook, thotë se me t'u kthyer nga Nju Jorku është njoftuar për “lajmin tronditës për një sulm ndaj policëve të Kosovës në veri të Kosovës”.

Ai thotë se ndihet i shqetësuar dhe se ky akt është në kundërshtim me parimet e paqes dhe bashkëpunimit.

“Me t'u kthyer nga Nju Jorku këtë mëngjes, mësova për lajmin tronditës për një sulm ndaj policëve të Kosovës në veri të Kosovës. Një akt i tillë frikacak i dhunës është thellësisht shqetësues dhe është në kundërshtim me vetë parimet e paqes dhe bashkëpunimit. Zemra ime është për viktimat, familjet, miqtë dhe kolegët e tyre. Ky sulm i tmerrshëm thekson më tej domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut parandalues, nënvizuar gjatë javës së kaluar, kur mora pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, me drejtues dhe kolegë të shumtë nga e gjithë bota. Në një mënyrë apo tjetër, ne të gjithë theksuam rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit”, shkruan Lajçak.

Më tutje ai tregon për takimin me gjithashtu gjashtë presidentët nga Ballkani Perëndimor dhe zyrtarë të lartë të OKB-së, për të diskutuar mbi dinamikat rajonale. Përmend gjithashtu faktin se përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, organizoi gjithashtu një drekë tradicionale të Ballkanit Perëndimor “për të harmonizuar mesazhet tona për këtë javë në skenën globale. Për të gjetur një rrugë përpara në rajon dhe në veçanti në Dialog, mbajta diskutime strategjike me partnerët tanë, SHBA-në”, shkruan tutje ai

Ai thotë se këtë vit e vlerësoi veçanërisht darkën me ish-kryetarët e Asamblesë së Përgjithshme dhe Presidentin aktual të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Ishte e mrekullueshme të kthehesha në OKB, por pas një jave të “takimit të shpejtësisë globale” ishte koha për t'u kthyer në Bruksel. Në ditët në vijim, do të fokusohem plotësisht në gjetjen e një rruge përpara”, ka shkruar Lajçak në Facebook.


MË SHUME NGA Lajme