Osmani: Polici Afrim Bunjaku ra në mbrojtje të dinjitetit të Republikës
M.Miftari/ RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë urdhrin “Hero i Kosovës” policit Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator në veriun e vendit. Urdhrin e pranuan familja e policit në një mbledhje komemorative në nderim të policit që ra në krye të detyrës.
“Në emër të qytetarëve i ndaj urdhrin “Heroi i Kosovës”, rreshterit Afrim Bunjaku. Ai ka rënë heroikisht në mbrojtje të vendit”, deklaroi presidentja.
“Jemi mbledhur sot këtu për t’ia dhënë lamtumirën e fundit policit tonë, rreshterit, Afrim Bunjaku, i cili deri dje ishte gardian i sigurisë sonë, ndërkaq, nga sot është hero i Kosovës. Ai ra në mbrojtje të rendit ligjit, integritetit territorial e sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ra në mbrojtje të dinjitetit të Republikës sonë. Prandaj sot, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës,do t’i ndaj ‘post mortem’, urdhrin më të lartë të Republikës: Urdhrin Hero i Kosovës!”, deklaroi presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Presidentja e vendit, më tej theksoi se nga sot shteti ynë ka edhe një hero, ka edhe një kujtim më shumë për një njeri që me profesionalizëm, me përkushtim iu dedikua mbrojtjes së Republikës për të cilën ra në krye të detyrës,
Polici Afrim Bunjaku, shtoi ajo, ishte një rreshter trime vetëmohues, i cili sakrifikoi jetën për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë.
Në mbledhjen komemorative po marrin pjesë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, ambasadorë e qytetarë të shumtë.
Polici Afrim Bunjaku u vra dje në orët e hershme të mëngjesit në një aksion kundër një grupi terrorist në veriun e vendit.

Kurti: Policia e Kosovës dje pamundësoi skenar të gjerë kriminal e terrorist
Kyeministri i Kosovës Albin Kurti në mbledhjen komemorative në nderim të policit të rënë në detyrë, Heroit të Republikës së Kosovës, Afrim Bunjaku, tha veprimet e Policisë së Kosovës profesionale dhe të guximshme dje e pamundësuan një skenar më të gjerë kriminal e terrorist.
“Dita e djeshme, e diela e 24 shtatorit 2023, na ka mbledhur ne sot këtu dhe shpirtërisht me gjithë Kosovën për ta nderuar veprën e Afrim Bunjakut, pjesëtarit të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës. Dita e sotme është ditë zie në vendin tonë, për shkak të pikëllimit dhe dhembjes së përbashkët për Afrim Bunjakun, rreshterin e policisë sonë që e humbëm dje. Por e sotmja, është edhe dita kur do t'i bëhen nderimet më të larta shtetërore dhe gjithëpopullore policit Afrim Bunjaku, sepse bashkë me pikëllimin dhe dhembjen, ndjejmë krenari dhe besim për Afrimin dhe për të gjithë policët e Policisë së Kosovës. Për policinë tonë që me veprimet e saj profesionale dhe të guximshme dje e pamundësuan një skenar më të gjerë kriminal e terrorist”, tha ai.
Sipas tij Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi ndaj policëve të Kosovës dhe ndaj vetë shtetit tonë, nga një grup personash shumë të armatosur dhe të pajisur rëndë, të trajnuar profesionalisht dhe me plan, të përkrahur politikisht, të financuar materialisht dhe të mbështetur logjistikisht nga Serbia.
“Reagimi profesional i Policisë sonë rezultoi me eliminimin e disa terroristëve e kriminelëve, arrestimin e disa të tjerëve dhe neutralizimin e gjithë grupit të tyre si dhe konfiskimin e shumë armatimeve dhe mjeteve të tjera mbështetëse logjistike”, tha ai.
Ai tha se nga dje, asgjë më nuk mund të jetë njësoj. “Faktet dolën sheshazi përballë nesh, në sytë tanë dhe të bashkësisë ndërkombëtare si dhe në sytë e secilit që ka kurajo dhe vullnet për ta parë të vërtetën e rajonit në të cilin jetojmë. Ky reagim profesional dhe i matur i institucioneve të Kosovës dje, ishte në përputhje me vetë natyrën e shtetit tonë demokratik dhe properëndimor”, theksoi ai.
Kurti tha se plot 22 vite të kaluara në uniformën e Policisë së Kosovës, pra që nga viti 2001, e deri në ditën kur ra në kryerje të detyrës me po këtë uniformë, janë vite shërbimi dhe sakrifice që e bëjnë hero Afrim Bunjakun: hero të Republikës së Kosovës!
“Sot, përballë e pranë fotografisë me portretin e Afrim Bunjakut në uniformë të policisë së Republikës sonë dhe përballë veprës së tij heroike, përkulemi me nderime dhe respekt, si dhe zotohemi për drejtësi dhe kujtesë. Ne bëjmë atë që duam sepse duhet. Ligjshmëri dhe kushtetutshmëri, paqe dhe siguri, për të gjithë dhe secilin pa dallim. Lavdi rreshter Afrim Bunjakut, heroit të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Bunjaku: Para kohe unë mbeta jetim
Afërdita Bunjaku, vajza e rreshterit Afrim Bunjaku, ka deklaruar në mbledhjen komemorative se babai i saj është flijuar për liri dhe për Kosovën. Ajo u shpreh para të pranishmëve se babai e kishte mësuar, por asnjëherë “si të jetojmë pa ty”.
“Heroi im, babai im. Sa vështirë e kam të shkruaj për ty. babi im. Para kohe unë mbeta jetim, kurrë s’e kam besuar. Ikja jote babi, na la një plagë të madhe në zemrat tona. Babi s’e di si të jetoj pa ty, si të jetoj pa heroin tim. Hyra brenda në shtëpi dhe ty s’të pashë. Është shumë e rëndë për mua. Vendin tënd në shtëpi s’e zëvendëson askush. Të gjitha na i besove, por si të jetojmë pa ty asnjëherë. Babi ishe njeri i dashur për familje, shoqërinë, ashtu edhe për punën ku flijove jetën për liri, për këtë vend. Që ne dhe Kosova të gjithë të jemi krenarë me ty me heroizmin tënd, mundin dhe punën qe e ke bërë çdoherë për ketë vend, të premtoj babi se do të jemi krenarë me ty. Do të të ndjek gjithmonë në rrugën tënde, me mall e me dhimbje do të të kujtojmë heroi im, babai im”, ka thënë ajo.























