Vrajolli: Kontrolli në kufi në veri është jo efektiv
M.P. / RTKlive
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli ka kritikuar Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për kontrollim jo efektiv të vijës kufitare, duke iu referuar futjes së armatimit nga grupet kriminale serbe.
“Armatimi dhe pajisjet e tjera tregojnë që ka qenë një grup i planifikuar mirë dhe i mbështetur jashtë sepse ato me gjasë s’kanë qenë brenda Kosovës por janë futur në Kosovë. Kjo tregon një brishtësi të sigurisë në zonën veriore dhe sidomos për faktin që ka një kontroll jo efektiv të vijës kufitare, mbase këtu duhet të kritikohen të gjitha institucionet përgjegjëse, Policia e Kosovës por edhe KFOR-i”, ka thënë ai në “Info Plus” të RTK-së.
Tutje ai ka thënë se është e dukshme bashkëpunimi i grupeve kriminale me Beogradin.
“Këto struktura kanë qenë nën dijeni të autoriteteve serbe. Vet fakti që këta persona kanë pasur guximin drejtpërdrejtë të shkojnë dhe të mjekohen në Serbi kjo tregon se ata nuk kanë frikë nga autoritete serbe dhe dëshmon një implikim të autoriteteve serbe në këtë incident”, u shpreh Vrajolli.























