Qeveria e Serbisë shpall ditë zie për terroristët e vrarë në Banjskë
BKT
Lajme

Qeveria e Serbisë shpall ditë zie për terroristët e vrarë në Banjskë

Medina Pasoma / RTKlive

(E plotësuar) Pas Listës Serbe, edhe Qeveria e Serbisë ka marrë vendim për ditë zie për terroristët e vrarë në veri gjatë sulmit mbi Policinë e Kosovës.

Përderisa Lista Serbe ka shpallur tri ditë zie në mjediset ku jetojnë serbët në Kosovë, Qeveria serbe e ka shpallur 27 shtatorin ditë zie në këtë shtet.

“Qeveria e Serbisë u kërkon mediave dhe organizatorëve të ngjarjeve publike të përshtatin programin e tyre me ditën e zisë të mërkurën, 27 shtator, ashtu që të respektojmë viktimat në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Serbisë.

Lista Serbe shpall tri ditë zie për terroristët e vrarë në Banjskë

Lista Serbe, e cila mbështetet nga qeveria e Serbisë, nëpërmjet një deklarate në Facebook ka njoftuar se në mjediset ku jetojnë serbët në Kosovë ka shpallur tri ditë zie për pjesëtarët e grupit terrorist, të cilat janë vrarë në Banjskë të Zveçanit.

“Në mjediset serbe në territorin e Kosovës do të anulohen të gjitha ngjarjet argëtuese të organizuara nga organet dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale dhe flamujt e Republikës së Serbisë në të gjitha institucionet do të ulen në gjysmështizë”, ka shkruar Lista Serbe, e cila vlerësohet të jetë mbështetëse e bandave kriminale në veri.


MË SHUME NGA Lajme