Kurti: Kosova rast i veçantë se si një universitet ka prodhuar vet shtetin
BKT
Foto/ RTK
Lajme

Kurti: Kosova rast i veçantë se si një universitet ka prodhuar vet shtetin

A.B/RTKlive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova paraqet një rast të veçantë se si një universitet ka prodhuar vet shtetin.

Ai këto i komente i bëri sot në konferencën ndërkombëtare për cilësinë në arsimin e lartë, organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

Kurti tha se qeveria e Kosovës po mbështet arsimin dhe do të punojë që AKA të jetë në institucionet ndërkombëtare, raporton RTKlive.

“Kosova paraqet një rast të veçantë se si një universitet ka prodhuar vet shtetin. E kam fjalën për Universitetin e Prishtinës i cili që nga themelimi në vitin 1970, ka prodhuar gjithë elitat kulturore, profesionale dhe poetike që i kanë prirë proceseve emancipuese, shoqërore dhe përpjekjes së popullit të Kosovës për çlirim dhe për krijimin e Republikës së Kosovës”, tha Kurti.

Kurti u shpreh se cilësia në arsimin e lartë në Kosovë qëndron lart mes prioriteteve të Qeverisë, për çka edhe është duke u punuar për modernizimin e arsimit të lartë dhe për vendosjen e kritereve adekuate për ngritjen e mirëmbajtjen e cilësisë së arsimit të lartë.

“Andaj jemi edhe sot këtu, për të përforcuar urat e vjetra dhe për të ndërtuar ura të reja, mes Agjencisë së Kosovës për Akreditim në njërën anë dhe Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) në anën tjetër, ashtu si edhe Institucioneve të Arsimit të Lartë e partnerëve tanë ndërkombëtarë”, deklaroi kryeministri.

Në këtë kontekst, ai tregoi se është finalizuar Projektligji për Arsimin e Lartë dhe Ligji për Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA) i cili garanton pavarësinë institucionale dhe financiare të AKA-së, merr në konsideratë rekomandimet e ENQA-së, si dhe garanton harmonizimin e sistemit tonë të arsimit me Standardet dhe Udhëzuesit Evropian të sigurimit të cilësisë (ESG). 

Agjencia e Kosovës për Akreditim e ka gjithë pavarësinë e saj institucionale, vazhdoi kryeministri, teksa shtoi se kemi inkurajuar AKA-në për nxitjen e bashkëpunimit me Institucionet e Arsimit të Lartë dhe për transparencë të plotë, veprime këto që krijojnë parakushtet për anëtarësimin e AKA-së në ENQA dhe EQAR.

Në anën tjetër, Ministrja e Arsimit e ka nënshkruar vendimin për pajtueshmërinë e punimeve dhe publikimeve shkencore me etikën, në hulumtim të stafit akademik të institucioneve të arsimit të lartë (IAL).

“Jemi të përcaktuar për sigurimin e integritetit akademik dhe etik dhe zbatimin e përpiktë të standardeve evropiane të cilësisë të cilat decidivisht thonë që: institucionet (e arsimit të lartë) kanë politika dhe procese që garantojnë dhe përmirësojnë cilësinë e aktiviteteve të tyre, si hulumtimi dhe qeverisja”, përfundoi kryeministri Kurti, duke dhënë zotim për mbështetje.

Në këtë konferencë të pranishëm ishin edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi, Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, Presidenti i EQAR, Stéphane Lauwick, Zëvendëspresidentja e ENQA, Cristina Ghitulica, ambasadorë, deputetë të Komisionit Parlamentar për Arsim dhe staf nga universitetet tona.


MË SHUME NGA Lajme