Sulmi në Banjskë, Von Cramon: Kur do të sanksionohen kriminelët
BKT
Lajme

Sulmi në Banjskë, Von Cramon: Kur do të sanksionohen kriminelët

N.Mekolli /RTKlive

Eurodeputetja dhe raportuesja në Parlamentin Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka dënuar sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, njëherësh ka kërkuar fillimin e sanksionimit ndaj sulmuesve.

Von Cramon, në një postim në Facebook, ku ka shpërndarë edhe videon e publikuar në RTKlive, ku shihen pjesëtarë të grupit terroristë në Manastirin Banjskës e ku besohet se është prezent edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, ka pyetur se kur do të fillojë sanksionimi, ngrirja e aseteve, llogarive bankare dhe pengimi i dy kriminelëve (nga grupi kriminal, sulmues) që udhëtojnë në shtetet e BE-së.

“Kur do të fillojë më në fund sanksionimi i këtyre djemve këtu? Ngrirja e aseteve, llogarive bankare dhe pengimi i tyre (ka edhe disa kriminelë të tjerë) që të udhëtojnë në vendet e BE-së? Ky do të ishte të paktën një fillim (siç bëri SHBA disa kohë më parë)”, ka shkruar Viola von Cramon.

Ajo ka pyetur zyrtarët e BE-së se kur duhet të sanksionohen sulmuesit e Policisë së Kosovës.

Eurodeputetja Von Cramon, më herët, ka dënuar sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës dhe shprehu solidaritetin e saj të plotë me popullin e Kosovës. "Sulmi i orkestruar ndaj forcave legjitime të policisë është absolutisht i papranueshëm, autorët e të cilit duhet të sillen para drejtësisë", ka thënë më herët ajo.

 


MË SHUME NGA Lajme