Chollet: Palët duhet t`i kthehen dialogut dhe të zbatojnë zotimet e Ohrit
(E plotësuar, ora 19:30) Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka bërë të ditur se a folur me kryeministrin Albin Kurti për sulmin e tmerrshëm të se dielës. Chollet ka bërë të ditur se ka biseduar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës. Ai ka ftuar të dyja palët t’i kthehen dialogut dhe të punojnë për de-eskalimin e situatës.
Chollet e ka dënuar fuqishëm dhunën kundër Policisë së Kosovës. Ai ka shprehur ngushëllime për vdekjen e rreshterit Afrim Bunjakut.
Chollet, ka shkruar në platformën‘X’se e të dyja palët duhet t'i kthehen dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të zbatojnë zotimet e Ohrit.
“Biseduam me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për sulmin e tmerrshëm të së dielës në Kosovë. Dënojmë ashpër dhunën kundër Policisë së Kosovës; shpreha ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe të zbatojnë zotimet e Ohrit”, ka shkruar ai.

Chollet në platformën "X" ka shkruar se në bisedë me Vuçiqin ka shprehur se është e domosdoshme shmangia e akteve të cilat sjellin rritjen e tensioneve.
"Bisedova me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq për rëndësinë e de-eskalimit në veri të Kosovës dhe shmangien e veprimeve të cilat mund të sjellin inkurajimin e mëtejshëm të tensioneve. Humbjet tragjike të jetëve theksojnë nevojën urgjente të kthimit të paqes dhe kthimit në dialogun e udhëhequr nga BE-ja", ka thënë ai.























