Gërvalla thotë se Vuçiqi është eksportues i terrorizmit
SH.Ç/RTKlive
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar për zhvillimet e fundit në veri dhe për reagimet e serbëve në raport me sulmin terrorist të së dielës.
Ministrja e Jashtme, ka theksuar se glorifikimi i terrorizmit nxit pa ndryshim më shumë dhunë dhe duhet refuzuar me vendosmëri.
“Vendimi i Serbisë për të shpallur ditë zie për terroristët e neutralizuar nga policia e Kosovës në përgjigje të një sulmi terrorist vdekjeprurës, kërkon dënim universal dhe të qartë”, ka thënë Gërvalla.

Gërvalla ka thënë se ka dëshmi të pakontestueshme se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, që është në listën e zezë të SHBA-së e Britanisë së Madhe, ishte i përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të dielën.
Gërvalla ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është eksportues i terrorizmit.
“Dëshmi të pakontestueshme që Radojiçiqi, një bashkëpunëtor i ngushtë i Vuçiqit, ka drejtuar grupin terrorist që sulmoi policinë e Kosovës. Vuçiqi është një eksportues i terrorizmit dhe jostabilitetit. Duhet të jetë alarm zgjimi për komunitetin ndërkombëtarë që të marrë veprime vendimtare për të ruajtur paqen”, ka shkruar Gërvalla në platformën ‘X’.























