Kurti: Grupi i armatosur me skenar për gjakderdhje në Kosovë|VIDEO
A.Bela / RTKlive
(E plotësuar, ora 10:40) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se grupi i armatosur ka pasur armatim në vlerë mbi pesë milionë euro dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarëve dhe me ketë është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë.
“Aty janë përshirë individë të sanksionuar nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale. Ata janë në kërkim nga institucionet e Kosovës të drejtësisë për vepra penale në Kosovë. Ata shfaqin në krah e përkrah në një tryezë në Rashkë e Beograd me presidentin e Serbisë Vuçiq dhe duke paralajmëruar rolin e drejtpërdrejt të shtetit serb në këtë mes”, tha Kurti, raporton RTKlive.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi profesionalizmin e lartë të Policisë së Kosovës në aksionin kundër terroristëve në veri të vendit.
Qeveria ndan 50 mijë euro për familjen e Afrim Bunjakut
Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 mijë euro për familjen e rreshterit policor, Afrim Bunjaku, i cili u vra të dielën e 24 shtatorit nga terroristë serbë në Banjskë të Zveçanit. Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se është obligim i Kosovës përball vetëmohimit të Afrimit, dhe veprës heroike që ai la.
Kurti ka thënë se pas dokumentit të pjesëmarrjes së Radojiçiqit në sulmin e së dielës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, është “jetike” pluralizmi politik te serbët. “Pas dokumentimit të pjesëmarrjes së nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojciq, është vërtetuar një gjë që meriton vëmendjen e të gjithëve, rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë. Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm, serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutelat e Serbisë”, tha Kurti.
Çeku: Manastiri ortodoks u përdor si strehë nga grupi terrorist
Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku në mbledhjen e 162-të të Qeverisë sulmi terrorist i sponsorizuar nga shteti i Serbisë, përveç që ia mori jetën një polici të devotshëm të Kosovës, kishte edhe një dimension të rrezikshëm dhe të dëmshëm, atë të përdorimit të një aseti të trashëgimisë kulturore dhe fetare për qëllime kriminale.
“Manastiri ortodoks në fshatin Banjskë të Zveçanit, monument i trashëgimisë kulturore i mbrojtur me ligjet e Republikës së Kosovës, u përdor si strehë nga grupi terrorist përfshirë armatimin e tyre. Për dijeninë e të gjithëve, Manastiri i Banjskës u ndërtua në pjesën e parë të shekullit XIV, mbi rrënojat e një kishe të vjetër të hershme paleokristiane, ndërsa supozohet që në atë lokacion gjendej edhe një vendbanim antik romak pasi që aty janë gjetur mbishkrime epigrafike të periudhës romake”, tha ai.
Sipas tij terroristët kanë shkaktuar dëme jo të vogla në strukturën fizike të këtij manastiri. Besoj thellë që qëllimi i pjesëtarëve të këtij grupi por edhe i urdhërdhënësve të tyre ka qenë që përveç dëmit fizik në Manastir të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndër-fetare dhe ndër-etnike në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës deri tash ka dhënë dëshmi të panumërta të vullnetit për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, e në veçanti kishat dhe manastiret ortodokse. Vetëm para më pak se tre muaj, bashkë me partneret ndërkombëtarë kemi përfunduar restaurimin e tri kishave ortodokse në Kosovë. Ministria e Kulturës tashmë ka kodin buxhetor dhe mjetet e nevojshme për ndërhyrje sanuese edhe në manastirin e Banjskës. Ne jemi duke pritur krijimin e kushteve të nevojshme që ekipet tona profesionale nga autoritetet e trashëgimisë kulturore të vizitojnë monumentin për të bërë vlerësimin e dëmeve. Menjëherë pas kësaj do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme në bashkëpunim me të gjitha palët relevante për ndërhyrje profesionale me qëllim sanimin e dëmeve në strukturën fizike të këtij manastiri”, tha ai.
Duke shtuar se gatishmëria dhe vullneti kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në nivelin të lartë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, e cila në rastin e objekteve të kultit duhet t’i shërbejë besimtarëve, të fuqizojë harmoninë ndërfetare e ndëretnike dhe jo të përdoret për qëllime kriminale dhe destabilizuese për Republikën e Kosovës.
Live|Mbledhja e qeverisë fillon me nderim për heroin Afrim Bunjaku
(E plotësuar, ora 10:25) Mbledhja e qeverisë filloi më një minutë heshtje për heroin Afrim Bunjakun, i rënë në veri të Kosovës.
Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës
Zyra e kryeministrit njofton se mbledhja fillon nga ora 10:00, ndërsa nuk ka njoftuar për rendin e ditës së kësaj mbledhje.
Kjo është mbledhja e parë pas zhvillimeve në veri të vendit, me përjashtim të një mbledhje që është mbajtur në mënyrë elektronike.























