Sveçla: Serbia “këmbë e krye” e përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë
BKT
Lajme

Sveçla: Serbia “këmbë e krye” e përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë

M.Sh/RTKlive

“Njëri nga të vrarët në aksionin e policisë së Kosovës, kundër grupit terrorist serbë në fshatin Banjskë, është Bojan Mijailoviq, truproja e shefit të BIA-s, Aleksandar Vulin". Kështu ka deklaruar të mërkurën në një reagim ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka akuzuar Shtetin e Serbisë që është i përfshirë direkt në sulmin terrorist ndaj Republikës së Kosovës.

“Dje përmes video-pamjeve dëshmuam prezencën e kryekriminelit dhe udhëheqësin e aksionit terrorist Milan Radojiçiq. Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013”, ka shkruar Sveçla.

Shteti i Serbisë, sipas tij, është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Ksovës.

“Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe truproja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë”, shkruan Sveçla.Këto fakte, sipas tij, janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviqit, ish-ministri i Propagandës së atij regjimi, tash president i regjimit aktual në Serbi.

“Edhe optimistët më të mëdhenj që deri tash e kanë gënjyer veten për ndryshimet në këtë shtet besoj janë bindur për të kundërtën këto ditë”, ka shkruar Sveçla.

Ai edhe një herë shpreh mirënjohje për qëndresën e Policisë së Kosovës dhe për profesionalizmin e pashoq, në aksionin në të cilin nuk është lënduar asnjë civil.


MË SHUME NGA Lajme