Tajani dënon aktet e dhunës në veri, Rama kundër deklaratës së Borellit
M.Sh/RTKlive
Shefi i diplomacisë italiane, Antonio Tajani duke iu referuar ngjarjeve të fundit në veri, tha se Italia gjithmonë ka dënuar dhe vazhdon të dënojë të gjithë aktet e dhunës. Ai tha se është në kontakt me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksander Vuçiq, të cilët i ka ftuar për vazhdimin e dialogut për zgjidhje paqësore.
Këto komente ministri i jashtëm Italian i bërë në një konferencë për media së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Ne punojmë për paqen dhe stabilitetin e atij rajoni. Unë fola personalisht me kryeministrin e Kosovës Kurti, me presidentin serb, Vuçiç, i ftova të gjithë për një zgjedhje që të jetë ajo e paqes, e dialogut”, ka deklaruar Tajani, i cili gjithashtu tha se ka folur edhe për mundësinë e përforcimit të KFOR-it në mënyrë që të shmangur incidente e mundshme.
Shefi i diplomacisë italiane kërkoi që të mbështet deklarata e shefit të BE-së, Josep Borrell të datës 19 shtator, për vazhdimin e dialogut.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë që është në dorën tonë në mënyrë që dialogu të mund të rifillojë dhe dhuna nga ana e grupeve ekstremiste të zëvendësohet me diplomaci dhe besoj se është e drejtë që puna e Bashkimit Evropian të jetë gjithmonë e më shumë efikase. Italia gjithsesi do të bëjë pjesën e vet sepse vendosëm që të jemi të pranishëm në Ballkan, jo vetëm për të pasur oportunitete, por dhe për të kërkuar që të zgjidhim, falë aftësive italiane, problemet më të ndërlikuara”, deklaroi Tajani, citon atsh.al.
Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria nuk e mbështet deklaratën e datës 19 shtator 2023 nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.
Rama tha se e ka të pamundur të jetë në një linjë me Bashkimin Evropian pa një deklaratë të dytë, që sipas tij, të adresojë zhvillimin dramatik pranë fshatit Banjskë ku një grup kriminal ushtroi terror, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.
“Qëndrimi ynë për herë të parë, të paktën 10 vitet e fundit, në kundërshtim me një deklaratë të BE, ky qëndrim lidhet me faktin se deklarata e BE është një deklaratë e cila jo se në vetvete ka probleme, pasi adreson gjithçka që është thënë më parë nga Borell nisur me detyrimet e Kosovës në raport me dialogun, por nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit”, ka thënë Rama.
Tirana, sipas tij, është e pamundur të linjëzohet me BE-në pa parë një deklaratë të dytë që adreson problematikën e ditëve të fundit, ku ka ndodhur një zhvillim dramatik.
“...pasi është vrarë një efektiv i Policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal që ka qenë qartësisht i investuar për të ushtruar terror në Kosovë, gjë që është pasuar nga shpallja e një dite zie kombëtare në Beograd. Kjo për ne është e papranueshme, madje e dënueshme sepse është jo Evropiane dhe sepse njëkohësisht është sinjali më i keq që Serbia mund të jepte në këtë moment për të gjithë rajonin dhe Evropën”, u shpreh Rama.
Veprimin e Beogradit për shpalljen e një ditë zie për sulmuesit që humbën jetën, Rama e konsideroi “të papranueshëm”, teksa tha se ka kërkuar nga BE që t’i japë këtij veprimi mesazhin e duhur.
“Linja jonë është 100 për qind e BE-së, por ky është momenti për të dënuar me zë të larët atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës, dhe atë që ka pasuar në Beograd me shpalljen e një ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës. Linja jonë është në mbështetje të Kosovës, pasi është e papranueshme dhe e dënueshme që Serbia shpalli ditë zie për vrasjen e atyre që sulmuan policinë e Kosovës," tha Rama.























