Sylejmani: Provat po tregojnë se Serbia është e përfshirë në sulmin në veri
BKT
Lajme

Sylejmani: Provat po tregojnë se Serbia është e përfshirë në sulmin në veri

N.M. /RTKlive

Rrahman Sylejmanin, ish kolonel i Policisë së Kosovës, tha se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit ka tentuar ta cenojë rëndë rendin kushtetues, por edhe sigurinë e përgjithshëm në vend. Për fat të keq ka pasur një viktimë, rreshter Afrim Bunjakun, tani hero i Kosovës.

Sylejmani, në emisionin “Info Plus”, tha se provat po tregojnë se qeveria e Serbisë, Ministria e Mbrojtjes është direkt e përfshirë në këtë akt terrorist dhe priten të dalin edhe prova të tjera gjatë ekzaminimit të tyre nga forenzika.

“Sulmi ka qenë një skenar i errët, por është mirë që është goditur që në fillim dhe kjo do të ndikojë në rrjedhat në vazhdim. I është dhënë edhe një porosi popullatës aty, u ka treguar se ata janë dhe mund të jenë të manipuluar”, tha Sylejmani.

Sipas tij, sasia e armatimit dhe armatimi i rënd, tregon se ata kishin për cak të godasin institucionet, Policinë e Kosovës, por kishin për qëllim edhe aneksim të territorit.

Sylejmani thotë se, falë intervenimit të shpejtë dhe tejet profesional, është ndaluar realizimi i këtyre skenarëve, janë neutralizuar sulmuesit dhe një numër i tyre janë arrestuar. Ai shton se në të ardhmen duhet shtohet kontrolli i kufirit, sepse ky nuk do të jetë tentimi i fundit dhe se ngjarje të tilla mund të përsëriten.

“Unë besoj, sepse ne e dimë se dhe parlamentarja britanike ka cekur, se objektet fetare të Kishës Ortodokse Serbe, po shfrytëzohen për grumbullimin e armatimit, me qëllime shumë të rrezikshme për sigurinë e Kosovës, kjo po del të jetë e saktë. Këto informata është dashur t'i kenë edhe shërbimet tona, por edhe të jashtme dhe kjo është paralajmëruar për një kohë të gjatë”, thotë Sylejmani.

Sipas tij, hetuesia duhet të hetojë edhe personelin e manastirit, se edhe ata mund të jenë të përfshirë, sepse sulmuesit, sipas tij, nuk kanë hyrë për herë të parë aty dhe manastiri dhe objektet përreth u kanë shërbyer si bazë e terroristëve.

“Unë nuk besoj se ai armatim është sjellë aty brenda një nate. Ai armatim ka hyrë aty për një kohë të gjatë, ndoshta për më gjatë se një muaj, ka ardhur pjesë - pjesë aty dhe është kompletuar. Pas këtij incidenti të rëndë duhet të shtuar kujdesin dhe të kyçen edhe njësitë e specializuara, si dhe të rritet prezenca. Duhet kërkuar edhe shpjegime nga KFOR-i, sepse edhe ata janë përgjegjës për sigurinë atje”, thotë Sylejmani.


MË SHUME NGA Lajme