Krasniqi: BE t’i bëjë presion Serbisë t’i dorëzojë terroristët në Kosovë
F.Sertolli / RTKlive
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani dhe drejtorin e Agjencisë Kosovare të Intelegjencës (AKI), Petrit Ajeti, i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj Serbisë e t’ia dorëzojë autoriteteve kosovare terroristët që vranë një pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Krasniqi ka bërë të ditur se u kanë ofruar mbështetje të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në përballje me këtë situatë sfiduese për vendin, ndërkaq ka shytuar se për subjektin që ai drejton, interesi nacional i vendit është dhe do të mbetet mbi të gjitha.
“Sot, përveç tjerash, i bëjmë thirrje edhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që të rrisin presionin ndaj Serbisë për t’i dorëzuar tek autoritetet kosovare, terroristët të cilët Serbia i ka marrë në mbrojtje. Veprimet e tyre nuk mund të mbeten pa u ndëshkuar dhe drejtësia duhet të triumfojë”, ka shkruar Krasniqi, duke shtuar se veprimet e tyre nuk mund të mbeten pa u ndëshkuar dhe drejtësia duhet të triumfojë.
Ai ka thënë se edhe një herë, ka shprehur mbështetjen dhe mirënjohjen e tij më të thellë për të gjitha institucionet e sigurisë, posaçërisht për Policinë e Kosovës, e cila siç tha ai, në 24 vitet e ekzistencës së saj, nuk ka rreshtur së na bëri krenarë me profesionializimin e dëshmuar vit pas viti në shërbim të vendit.
“Heroi Afrim Bunjaku është shembulli i fundit i kësaj atdhedashurie. Për mua dhe PDK-në, është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi Republikën e Kosovës adresën kryesore e ka në Beograd. Konfirmimi i përfshirjes së Milan Radojçiqit në këtë aksion, armatimi i sofistikuar dhe i shumtë i terroristëve, strehimi i tyre në Serbi pas sulmit dhe lartësimi i tyre si heronjë nga institucionet zyrtare të Beogradit, përfshirë shpalljen e ditës së sotme si ditë zie për ta – tregojnë për lidhjen e fortë të këtij grupi terrorist me shtetin e Serbisë”, ka shkruar Krasniqi.
“Prandaj, në periudha sfiduese si kjo, kur është cenuar integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë dhe siguria e qytetarëve tanë, për PDK-në, siç ka qenë gjithmonë, interesi nacional i vendit është dhe do të mbetet mbi të gjitha. Si PDK, i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në përballje me këtë situatë”.























