Kurti:Serbia e përkushtuar të shkatërrojë e jo të ndërtojë ura të paqes
BKT
Lajme

Kurti:Serbia e përkushtuar të shkatërrojë e jo të ndërtojë ura të paqes

V.Th. RTKlive

E plotësuar (11:10) Kryeministri i Republikës, Albin Kurti gjatë fjalimit të tij në Ditën Kombëtare të Boshnjakëve, ka thënë se sulmi terrorist dhe kriminel ndaj shtetit tonë ka dëshmuar dyshimet dhe pohimet e mëhershme të autoriteteve të Kosovës.

"Të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të fundit. Sulmi terrorist dhe kriminal ndaj vendit tonë dëshmoi të vërteta dyshimet dhe pretendimet tona të vazhdueshme. Municioni dhe pajisjet ushtarake që gjetëm brenda Manastirit të Banjskës vetëm sa konfirmojnë vendosmërinë e provuar prej kohësh të Serbisë për të shkatërruar para se të ndërtojë urat e paqes, dhe kështu edhe   vendosmërinë  e Presidentit të Serbisë për të mos respektuar Marrëveshjen kornizë të dakorduar  në Bruksel. Fatkeqësisht, kjo lloj politike ka ndjekur Serbinë që nga vitet 1990", tha Kurti.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës ka treguar vendosmëri duke luftuar për rendin kundër krimit dhe terrorizmit.

“Polici ynë Afrim Bunjaku ka humbur jetën në mënyrë heroike, por ka treguar që dashuria dhe përkushtimi ndaj shtetit është mbi të gjitha dhe në çdo kohë”, tha Kurti.

I pari i Qeverisë së Kosovës tha se angazhohet për një jetë të përbashkët për të gjitha komunitetet, duke theksuar se çdo ditë investon në ekonomi, në ndihmë të kategorive sociale dhe për barazi të të gjithë popujve në shtetin e Kosovës.

“Jam krenar dhe falënderues ndaj boshnjakëve për kontributin e tyre dhe angazhimit të tyre për çështje të rëndësishme në kuadër të shtetit dhe shoqërisë. Përfaqësuesit politik të boshnjakëve  janë pjesë përbërëse e qeverisë dhe në mënyrë direkte marrin pjesë në nxjerrjen e vendimeve të rëndësishme për zhvillim të përgjithshëm”, tha kryeministri.

Ai shtoi se qeveria e tij ka treguar përkushtim ndaj ligjit dhe respektimit e të drejtave të njeriut.

“Kemi arritur rezultate në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër terrorizmit dhe për parlamentarizëm, e kjo është tregues  se kjo shoqëri mundet të arrijë këtë. Republika e Kosovës, është një shtet dhe një shembull që progresi ekonomik dhe demokratik shkojnë së bashku. Qeveria jonë beson se nuk mund të ketë demokraci pa të drejtat e njeriut, pa sundim të ligjit dhe pa pluralizëm politik. Gjithashtu ne përkujdesemi për të gjithë qytetarët dhe për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, tha ai.

Kryeministri tregoi se ekzekutivi ka ndarë tre milionë euro për komunitete jo shumicë në Kosovë, të cilat përmes ministrisë për kthim dhe komunitete i ndahen organizatave joqeveritare edhe bizneseve të vogla, që sipas Kurtit qëllimi është rritja e punësimit.

Heroi Bunjaku nderohet në Ditën Kombëtare të Boshnjakëve

Zëvendëskryeministrja e Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, ka organizuar sot tryezë, me rastin e Ditës Kombëtare të Boshnjakëve.

28 shtatori është dita ndërkombëtare e boshnjakëve, me ç ‘rast te gjitha shtetet ku jeton ky komunitet, organizojnë aktivitete për nder të kësaj dite dhe respektimit të vlerave dhe kulturës boshnjake.

Tryeza filloi me një minutë heshtje në nderim të policit të vrarë Afrim Bunjaku.

Rexhepi tha se në këtë tryezë jemi bashkuar për të shënuar Ditën e boshnjakëve dhe të diskutojmë çështje tjera me të cilat ballafaqohemi.

“Kjo ditë është mundësia që të përkujtojmë trashëgiminë e pasur dhe kontributin të cilin ua kanë sjellë boshnjakët Kosovës”, tha Emilia Rexhepi.

Ajo shtoi si komuniteti boshnjak është krenarë për rolin e tij në ndërtimin dhe formimin e rajonit, duke ndërtuar urat mes kulturave të ndryshme dhe komuniteteve.

“Boshnjakët gjithmonë kanë qenë sinonim i tolerancës, i diferencës dhe respektit të ndërsjellë. Tradita sjellë përparësi të bashkësisë dhe mirëkuptim të cilat janë kyçe për bashkëjetesë në shoqëri multietnike siç është Kosova jonë”, tha ajo.


MË SHUME NGA Lajme