Kurti takon drejtoreshën e ICMP, kërkon më shumë angazhim për të zhdukurit
BKT
Lajme

Kurti takon drejtoreshën e ICMP, kërkon më shumë angazhim për të zhdukurit

M.Sh/RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim drejtoren e përgjithshme të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), Kathryne Bomberger, nga e cila kërkoi bashkëpunim më të ngushtë, për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Bomberger e uroi kryeministrin Kurti për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në ICMP dhe theksoi përkushtimin e përbashkët për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur gjatë luftës.

Duke ritheksuar angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të vërtetën, për të gjitha zhdukjet me dhunë që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, kryeministri Kurti falënderoi përfaqësuesit e ICMP për angazhimin dhe mbështetjen e dhënë.“Përmes angazhimit si anëtare në ICMP, kapacitetet institucionale e profesionale të Republikës së Kosovës do të jenë në shërbim të paqes dhe të adresimit të proceseve të ballafaqimit me të kaluarën kudo”, ka deklaruar Kurti, njofton Kryeministria.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ndërkaq ka shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet ICMP dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur në Kosovë.

Kujtojmë se më 19 korrik të këtij viti, në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës, Dren Doli, dorëzuan instrumentet e aderimit të Republikës së Kosovës në selinë e ICMP-së në Hagë.


MË SHUME NGA Lajme