Metushi-Krasniqi: Kemi raste të ndryshme të aferave të korrupsionit
E. Hoti / RTKlive
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shpalosur sot të gjeturat e një analize që gjurmon llojin dhe shtrirjen e të dhënave ekzistuese digjitale që tregojnë për integritetin politik në Kosovë.
Diana Metushi-Krasniqi nga KDI tha se kjo analizë është realizuar duke përdorur metodologjinë për monitorimin e integritetit publik të dizajnuar nga Transparency International, degë e së cilës është edhe KDI.
“Raporti është një analizë e të dhënave digjitale sidomos duke pasur parasysh se tani më jemi me një elan goxha të ndryshëm nga që ishim përpara krahas anëtarësimit në partneritet për qeveri të hapura, por edhe krahas nevojës që të lehtësohet mënyra dhe qasja ndaj analizimit dhe luftimit të korrupsionit", tha ajo sot në magazinën “Info Plus” në RTK.
Sipas saj informacioni është një nga elementet kyçe në identifikimin e flamujve të kuq të rasteve të korrupsionit, si dhe të rreziqeve ndaj tij."Ka përzgjedhur tetë grupe të të dhënave shumë të rëndësishme lidhur me integritetin institucional dhe atë politik. Ne në vazhdimësi shohim që kemi raste të ndryshme të aferave të mëdha të korrupsionit, kemi ligje dhe vendime favorizuese", tha ajo.
Ajo shtoi se ideja ishte që të shohin se ku qëndrojnë në krijimin e një mekanizmi i cili ndihmon qytetarët tatimpagues që të identifikojnë dhe luftojnë dukurinë e korrupsionit.
"Kjo do t’iu ndihmojë edhe institucioneve të parandalojnë korrupsionin, por edhe të analizojnë dhe të shohin ku janë mangësitë në procedura, politika dhe praktika që po lejojnë që kjo dukuri vazhdon të mbretet ende në mesin tonë", tha ajo.
Analiza rendit prokurimin publik si aktivitetin publik me disponueshmërinë më të lartë e të dhënave në format të hapur me 10.5 pikë, deklarimi i pasurisë, regjistri i bizneseve dhe raportet e shpenzimeve të qeverisë me nga 8.5 pikë secila, pasuar nga raportet financiare të partive politike me 8 pikë, buxheti i Kosovës me 7.5 pikë, regjistrin e zyrtarëve publik me 1 pikë dhe 0 pikë për disponueshmërinë e transkriptit të votimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.























