Jashari: Është koha që Kosova të anëtarësohet në Kartën e Adriatikut
BKT
Lajme

Jashari: Është koha që Kosova të anëtarësohet në Kartën e Adriatikut

E. Hoti / RTKlive

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka deklaruar sot se është koha që Kosova të anëtarësohet në Kartën e Adriatikut.

Jashari mori pjesë në Konferencën e Shefave të Mbrojtjes së Kartës së Adriatikut – SHBA e cila po mbahet në Shkup.

Gjatë fjalimit të tij ku paraqiti të arriturat e FSK-së,Jashari foli edhe për sulmin terrorist në veri të vendit më 24 shtator, ku kërkoi dënimin për ato shtete që përkrahin sulme të tilla.

“Gjithashtu, gjeneral Jashari foli për sulmet e ndodhura në veri të Kosovës dhe për faktin që ato janë kërcënim për stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit. Gjenerali ritheksoi që gjëra të tilla nuk bën të përsëriten dhe shtetet të cilat i përkrahin ato duhet të marrin dënimin e merituar. Në fund gjeneral Jashari zyrtarisht u deklaroi pjesëmarrësve që ka ardhur koha që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut”, thuhet në njoftimin  e Ministrisë së Mbrojtjes.

Komandanti i FSK-së me delegacionin e tij ka realizuar takime bilaterale me delegacionin amerikan të  prirë nga gjeneral Christopher Cavoli, Komandant i Forcave Amerikane për Evrope (EUCOM).

“Gjatë takimit gjeneral Jashari prezantoi të arriturat e FSK-së dhe falënderoi gjeneralin Cavolin për mbështetjen dhe partneritetin në fushën ushtarake mes dy vendeve. Po ashtu, u diskutua situata e sigurisë në vendin tonë dhe sfidat rreth saj”, u tha në njoftim.

Gjeneral Cavoli e përgëzoi gjeneral Jasharin për lidershipin e tij si dhe njëherit ritheksoi që SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin FSK-në në rrugën e zhvillimit të kapaciteteve ushtarake dhe atyre të mbrojtjes.


MË SHUME NGA Lajme