Haradinaj dëshmon për rastin e ‘53 milionëshit’
BKT
Lajme

Haradinaj dëshmon për rastin e ‘53 milionëshit’

Arlinda Sejda|RTK

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj është shfaqur sot në gjykatën themelore në Prishtinë si i ftuar i mbrojtjes në rastin ‘ 53 milionëshi’.

Prokurori special, Atdhe Dema e pyeti Haradinajn lidhur me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës ‘Hill International’. Haradinaj tha se gjithçka lidhur me këtë çështje është në shkresat e lëndës dhe sipas tij, është i sqaruar edhe procesi i vendimmarrjes.

Ish-kryeministri ka thënë se me kalimin e kohës është përkeqësuar gjendja kontraktuale me ‘Bechtel Enka’ dhe se është dashur të veprohet urgjentisht që të mos krijohen edhe kostot shtesë derisa konsorciumin ‘Bechtel Enka’, Haradinaj e ka vlerësuar konsorcium të përmasave ndërkombëtare kredibile.

"Është diskutuar në shumë nivele kjo çështje për shkak se operatori në këtë rast nuk e ka pranuar përmbylljen e pagesat paraprake koston e vonesave në obligime, për fat të keq qeveritë e mëhershme për një arsye ose tjetër, ose për shkak të ndërprerjes së mandatit të qeverisë Mustafa, mirëpo kjo çështje është e trashëguar”, tha Haradinaj.

Prokurori special gjatë seancës e ka pyetur Haradinajn për disa dokumente, vendime të komitetit ndërministror, derisa Haradinaj tha se dokumentet e tilla kanë ekzistuar në lëndën për vendimmarrje. Gjatë seancës disa herë ka reaguar i akuzuari Eset Berisha, lidhur me shkresat e  prezantuara nga prokuroria për të cilat tha se kanë shkuar në mënyrë të rregullt përmes sekretariatit për mbledhjen e Qeverisë.

Haradinaj u pyet se gjatë realizimit të kësaj pagese a mendoni se ka pasur lëshime qoftë në ministri, qoftë në qeveri.

“Jo e nderuar gjykatëse lënda ka ardhur në procedurën e paraparë ka kaluar etapat e diskutimit, shqyrtimit, shterimit paraprak për të ardhur në kabinet”, tha Haradijan.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 2 tetor 2023, ku pritet të jap dëshminë ish-ministri i infrastrukturës Lutfi Zharku.

Në rastin ‘53 milionëshi’ të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë: ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltari i tij, Eset Berisha, ish-Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, Nebih Shatri si dhe drejtori i Prokurimit Publik në këtë ministri, Besim Tahiri.


MË SHUME NGA Lajme