Shtëpia e Bardhë e shqetësuar për sulmet në veri: Dialogu e vetmja zgjidhje
M.P / RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka realizuar dje një telefonatë me Ndihmës Presidentin për Çështje të Sigurisë Kombëtare në SHBA, Jake Sullivan. Pas telefonatës ka ardhur edhe reagimi nga Shtëpia e Bardhë, ku është shprehur shqetësimi për grupet terroriste serbe.
“Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën. Ai vuri në dukje vendimet e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), veçanërisht në veri të Kosovës, dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët tanë për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij”, thuhet në reagimin e Shtëpisë së Bardhë.
Tutje Sullivan ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e policit të Kosovës të vrarë në krye të detyrës, Afrim Bunjaku.
“Gjithashtu, z. Sullivan dhe kryeministri Kurti diskutuan për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin z. Sullivan theksoi se është e vetmja zgjidhje afatgjatë për të garantuar stabilitet në mbarë Kosovën”, thuhet në reagim.
























