Sveçla: Provat janë evidente, dënimi i Serbisë është i domosdoshëm
M.M. & N.M./RTKlive
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në konferencë me medie foli për faktet që evidentojnë përfshirjen e Serbisë në organizmin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Ministri Sveçla tha se ka dëshmi të faktuara për përfshirjen se shtetit serb në organizmin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, që kishte për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës.
"Kemi dëshmi se këtë grup terrorist Serbia e ka organizuar me kapacitetin e vet. E tani kemi dëshmi që ky grup i organizuar është nën udhëheqjen presidentit serb Vuçiq e të ministrit të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq,si dhe shefit të komandës së ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviq, ndonëse presidenti i Serbisë është munduar ta mohojë ndërlidhjen e shtetit serb në këtë aksion terrorist, por faktet tregojnë ndryshe”, deklaroi, mes tjerash, ministri Sveçla, teksa shtoi se para disa ditësh kemi dëshmuar se armatimi është nga ushtria serbe.
Tutje, ministri Sveçla tha se presidenti i Serbisë është munduar ta kamuflojë të vërtetën, duke thënë se ai grup është një grup i serbëve të pakënaqur lokalë, por, shtoi ministri Sveçla, ka fakte ky është grup i organizuar ushtarak.
“Faktet e siguruar nga dronët e grupit terrorist të konfiskuara dëshmojnë se trajnimi e armatimi janë kryer afër Jagodinës e Kopaonikut. Shteti kriminal i Serbisë, nën Vuçiqin tani po dështon edhe me manipulimin se ata n janë përfshirë në aksion”, deklaroi ministri Sveçla.
I pyetur për prezencën ruse në këtë aksion terrorist, ministri Sveçla tha se disa pajisje janë të prodhimit rus, fjala vjen motorët, që i janë dhënë donacion ushtrisë së Serbisë, etj.
E në pyetjen nëse ka pasur negocim për tërheqjen e grupit terrorist nga Banjska, ministri Sveçla tha se nuk ka pasur ansjë lloj negocimi, teksa falënderoi edhe njëherë Policinë së Kosovës për profesionalizmin e tyre, derisa shtoi se fillimisht është menduar se numri i terroristëve ishte 30 sish, tani shtoi ai, mund të themi se kanë marrë pjesë mbi 90 terroristë.
“Kjo tregon se policët tanë kanë qenë numerikisht më pak se ata dhe që armatimi i tyre ka qenë më i shumtë se i policëve tanë. Përkundër shumë disavantazheve të policisë sonë, Policia e Kosovës ka treguar një profesionalizëm të pashembullt dhe një sukses të jashtëzakonshëm. Rënia e Afrimit (Bunjaku) angazhimi pa kurrfarë hezitimi me vullnet e gatishmëri maksimale, ka bërë të mundur që një skenar kaq ogurzi për Kosovën të ndërpritet, ndaj nuk ka pasur kurrfarë negocimi, ndërsa tërheqja është bërë për shkak të terrenit mjaftë të rëndë, kjo u ka mundësuar atyre tërheqjen”, deklaroi ministri Sveçla.
Ndërsa lidhur me manastiret nëse janë përdorur si deponi armësh serbe, ministri Sveçla u shpreh se kisha Ortodokse Serbe është çerdhe e nacionalizmit serb. "Ata në vazhdimësi kanë mbështetur të gjitha veprimet e ekstremistëve serbë, derisa shtoi e është dëshmuar së një pjesë e armatimit është gjetur në objektet e këtij manastiri".
Ai tha se në momentin që do të ketë dëshmi në përfshirjen e kujtdo në sulm terrorist, patjetër që do të sillet para drejtësisë, si dhe në çfarëdo informate që ka në përfshirjen e lokacioneve të tjera, do të reagohet.
Hoxha: Armët janë prodhime të reja të Serbisë, nuk gjenden në tregun e zi
Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, theksoi se nga hetimet policore kemi ardhur në përfundim se grupi terrorist ka zhvilluar ushtrime të gjata në Kopaonik.
Hoxha, në konferencë për media, ka shfaqur pamje ku pasqyrohen lloje të ndryshme të armëve, që u konfiskuan në Banjskë të Zveçanit
“Nga hetimet policore kemi ardhur në përfundim se grupi terrorist ka zhvilluar ushtrime të gjata në Kopaonik dhe Paculanske Livade”, tha ai, njëherësh prezantoi pajisje ushtarake të gjetura.
Me ketë rast u prezantua edhe lloji i minave të përdorua me teledirigjim, në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, me ç’rast humbi jetën rreshteri policor Afrim Bunjaku
Hoxha tha se shumë nga armët e gjetura janë prodhim i ri i Serbisë dhe se nuk mund të gjenden në treg të zi.
Tutje ai tha se është arrestuar një person në Jarinje dhe është bastisur në pronën e tij ku është gjetur një armë e një sasi municioni, çështja e tij është në proces , derisa shtoi se ekziston mundësia e lidhjes së tij grupin terrorist në Banjskë të Zveçanit.























