Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës rrezikon të shuhet|Video
BKT
Kulturë

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës rrezikon të shuhet|Video

Qëndresa Duraku /RTK

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës rrezikon të shuhet, në mungesë të projekteve që nuk i janë miratuar nga Ministria e Kulturës. Zyrtarët e kësaj ministrie thonë se Lidhja e Shkrimtarëve nuk i ka plotësuar kriteret e kërkuara, ndërsa nga Lidhja e Shkrimtarëve thonë se nuk janë dhënë arsyet se çfarë ka munguar në aplikacionin e tyre.

Ka dy vjet që Ministria e Kulturës nuk e miraton asnjë projekt të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Ky asociacion i shkrimtarëve, që dikur udhëhiqej nga Ibrahim Rugova e Adem Demaçi, rrezikon të shuhet në mungesë të mjeteve financiare.

Kryetari aktual, Shyqri Galica, tha se në mungesë fondesh nuk kanë arritur t’i ndajnë çmimet vjetore.

"Tashmë kemi 3 aktivitete standarde, Orën që e mbajmë më 5 mars, pastaj e kemi ‘Drini Poetik’ dhe takimet letrare 'Esad Mekuli’ që e mbajmë në dhjetor, madje vjet nuk kemi pasur mundësi ta japim as çmimin për shkrimtarin për veprimtarin e përgjithshme të tij sepse nuk kishim fare fonde", tha ai.

Nga Ministria e Kulturës refuzuan të përgjigjen para kamerës, por në një përgjigje me shkrim kanë sqaruar pse i kanë refuzuar projektet e LSHK-së.

 “Sa i përket konkursit për projekte kulturore, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ka aplikuar, por është refuzuar nga Komisioni për mosplotësimin e kritereve të përgjithshme dhe të veçanta të konkursit publik për projekte kulturore. Nga ana e zyrtarëve të MKRS-së, të gjithë aplikuesit njoftohen veç e veç me arsyetimin se përse projektet e tyre nuk kanë arritur të vlerësohen pozitivisht’, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Por, me këtë përgjigje nuk pajtohet kryetari Galica. Sipas tij, Ministria nuk e di se çfarë i ka munguar kërkesës së Lidhjes së Shkrimtarëve, pasi nuk i merr parasysh projektet që zhvillohen gjatë tërë vitit.

Anëtari i kryesisë së LSHK-së, Ramë Oraca, thotë se kjo ministri po i detyron shkrimtarët të dalin në rrugë për të protestuar.

 “Nëse nuk përkrahet dhe anashkalohet në këtë mënyrë edhe injorohet atëherë jemi të detyruar ndoshta të ndërmarrim diçka jashtë vullnetit tonë, por megjithatë ne nuk do të ndalemi deri në fund që të zgjedhim mënyrën e financimit nga Ministria e Kulturës", tha Oraca, anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve.

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës funksionon që nga viti 1965, fillimisht si seksion i shkrimtarëve të Kosovës, ndërsa si Shoqatë e Shkrimtarëve të Kosovës ishte themeluar më 30 tetor 1970. Pas luftës, shoqata u riemërua në Lidhje të Shkrimtarëve e Kosovës.


MË SHUME NGA Kulturë