Qeveria në mbështetje të gjitha programeve në luftimin e kancerit
BKT
Lajme

Qeveria në mbështetje të gjitha programeve në luftimin e kancerit

Edona Podvorica | RTK

Është lansuar fushata për muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit 2023

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishte edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ritheksoi mbështetjen e ekzekutivit në luftën kundër kancerit.

“Jam këtu për të ritheksuar mbështetjen e Qeverisë për të gjitha përpjekjet institucionale dhe shoqërore në zhvillimin e programeve ndërgjegjësuese kundër kancerit të gjirit dhe më vjen aq mirë që jemi bashkë në këtë betejë sepse duke qenë bashkë edhe e fitojmë atë. Nga të gjitha vdekjet nga kanceri, 1 në 7 vdekje vijnë nga kanceri i gjirit. Përderisa shkenca nuk ofron një qasje parandaluese, fokusi është në zbulimin e hershëm të sëmundjes. Për këtë angazhohemi bashkë, me investimet në sistemin tonë shëndetësor dhe me rritjen e vëmendjes dhe të vetëdijes për rëndësinë e ekzaminimeve rutinore", ka theksuar Kurti.

Ai tutje ka thënë se  përkushtimi i ekzekutivit është i përditshëm, duke ofruar qasje në shërbime shëndetësore. 

"Me angazhim të përbashkët  dhe me vetëdije të ngritur për sëmundjen, mund ta minimizojmë rrezikun. Andaj, në hapje të kësaj fushate ndërgjegjësuese, u bëjmë thirrje grave dhe vajzave,  që të kujdesën për vetën, duke vizituar mjekun e afërt, e duke u kontrolluar edhe kur mund të mos keni shqetësime.

"Në këtë betejë për jetën, Ministria e Shëndetësisë po vepron në zgjerimin e hartës së shërbimit të kemioterapisë dhe terapisë tabletare në spitale rajonale. Kemi decentralizuar shpërndarjen e terapisë tabletare në Spitalin e Prizrenit dhe jemi në përgatitje të decentralizimit edhe të shërbimit të kemioterapisë për të sjellë shërbimin sa me afër qytetarëve. Me vendosmërinë tonë për të siguruar barnat për qytetarët tanë që përballën me sëmundje, edhe e kemi rritur ndjeshëm buxhetin për barna. Kosova sot ka dy pajisje të gjeneratës së fundit për radioterapi, akceleratorë linearë, si dhe listë të pritjes në norma më optimale në raport me vendet e rajonit”, ka shtuar Kurti.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia tha se kanceri i gjirit si në nivel global ashtu edhe në vendin tonë është në statistika të njëjta. 

“Ulja e prevalencës së kancerit të gjirit është një sfidë komplekse. Synimet nuk mund të arrihen pa e rritur financimin, të cilën qeveria jonë e ka rritur dhe ka investuar në aparaturën e zbulimit dhe trajtimit të sëmundjeve malinje. Të gjitha  këto veprime janë detyrim i yni. Por e ritheksojmë faktin se edukimi e kontrolli i rregullt janë faktori kyq për zbulimin e hershëm dhe trajtimin e suksesshëm të kësaj sëmundjeje. Mbështetja e grave të prekura, mbështetja emocionale me psikologë e profile të tjera për këto gra është e domosdoshme”, ka thënë Vitia.

E Nafije Latifi, drejtoreshë e qendrës “Jeta Vita” ka thënë se sivjet synimi është tek komunitetet, në mënyrë që vetëdijesimi për kontrollime të shtrihet tek e gjithë popullata. 

“Klinika e Onkologjisë me një staf shumë punëtorë, punon në kushte të vështira, me kërkesa të mëdha për trajtim, mungesë shtretërish etj. Kërkesa jonë është që grave që janë operuar nga kanceri i gjirit t’u mundësohet mbulimi i shpenzimeve nga institucionet për ristrukturim të gjirit”, tha ajo.


MË SHUME NGA Lajme