Qytetarët me pasaporta të Kosovës nga 1 janari mund të udhëtojnë pa viza
V.Th. RTKlive
Ambasada gjermane, ka njoftuar se të gjithë qytetarët që kanë pasaportën e Kosovës, nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtra.
Lajmi është publikuar edhe nga faqja e Ambasadës gjermane në Kosovë.
Ndër të tjera janë dhënë edhe detaje të qëndrimit dhe shtetet që mund të vizitohen pa viza nga 1 janari, kur fillon zyrtarisht liberalizimi i vizave për Kosovën.
Sipas njoftimit të ambasadës, udhëtimi pa viza nuk mundëson të punoni në Zonën Shengen.
“Udhëtimi pa viza ju mundëson të udhëtoni pa vizë për qëndrime të shkurtra, për shembull, si turist, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive, takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet të ngjashëm”- thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se qytetarët mund të qëndroni deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore brenda zonës Shengen.
Ndryshe vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u botua në prill 2023 në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.























