SHBA: Nuk e dimë nëse Serbia i ka larguar forcat nga kufiri me Kosovën
L.Q/M.Sh/RTKlive
“Shtetet e Bashkuara nuk kanë mundur ta vërtetojnë ende në mënyrë të pavarur, se Serbia i ka tërhequr trupat dhe mjetet ushtarake nga kufiri me Kosovën”. Kështu ka deklaruar në një konference për medie, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller.
“I kemi parë lajmet se Serbia i ka tërhequr trupat, por ne nuk kemi mundur ta vërtetojmë ende në mënyrë të pavarur këtë. SHBA-ja do të kërkojë ta vërtetojë këtë dhe se nëse kjo është e vërtetë, atëherë ky është hap i mirëseardhur, diçka për të cilën u bëmë thirrje të ndodhte javën e kaluar”, ka shtuar Miller.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, po ashtu theksoi se Uashingtoni vazhdon të jetë i shqetësuar për rritjen e vazhdueshme të tensioneve dhe dhunës së herëpashershme në veri të Kosovës.
Ky reagim i DASH-it pasoi reagimin e Serbisë, e cila pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjskë, rriti numrin e ushtarëve dhe njësive motoristike në kufi me Kosovën. Pas këtij veprimi, reagoi edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili pas një telefonate me presidentin serb, Aleksander Vuçiq kërkoi që ushtria serbe të hiqen nga kufiri.
Të njëjtën kërkesë në drejtim të Beogradit e bëri edhe shefi i BE-së, Josep Borell.























