Policia kërkon kushte më të mira
SH.Ç/RTKlive
Sindikata e Policisë së Kosovës, nëpërmjet një peticioni dërguar në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar përmirësim i kushteve të punës.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione e ka shtyrë për mbledhjen tjetër shqyrtimin e peticionit të Sindikatës së Policisë.
Kryetarja e Komisionit, Duda Balja, ka theksuar se në mbledhje duhet që të ftohen anëtarët e Sindikatës në mënyrë që të bëhet të qarta kërkesat e tyre.
Kërkesat e tyre janë: Ligji i pagave, shtesa e rrezikshmërisë në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikimi në koeficient për staf civil, shujta mujore, shpërblimi për fundvit për performancë të mirë, tri paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para, sigurimi shëndetësor dhe jetësor, ligji për pensionim në Policinë e Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se kërkesat e policëve janë të domosdoshme dhe se duhet të aprovohen pa asnjë vonesë.
Musliu-Shoshi në Facebook ka shkruar se peticionin e kanë nënshkruar 5623 pjesëtarë të Policisë, e në mesin e kërkesave janë shtesa e rrezikshmërisë në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikimi në koeficient për stafin civil, shujta mujore, shpërblimi për fund të vitit për përformancë të mirë, tri paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritje e përvojës së punës, sigurim shëndetësor e jetësor dhe Ligji për pensionim në polici.























