Koqinaj: Gjatë luftës nuk kam dëgjuar për ndonjë person me nofkën “Ujku”
SH.Ç/RTKlive
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, po dëshmon dëshmitari i tretë i mbrojtjes, Naser Koqinaj, i cili njëherësh është dëshmitari i 15-të me radhë në këtë çështje.
Dëshmitari Koqinaj, ka thënë se gjatë luftës nuk ka dëgjuar për ndonjë person me nofkën “Ujku”.
Këto komente, dëshmitari i bëri pas pyetjes së avokatit të palës mbrojtëse, Jean-Louis Gilissen lidhur me atë se a ka njohur ndonjë person me këtë nofkë gjatë kohës së luftës.
Dëshmitari Koqinaj i është përgjigjur pyetjeve të palës mbrojtëse, të cilën e ka përfaqësuar avokati Jean-Louis Gilissen.
Ai nga avokati Gilissen është pyetur për periudhën nga fillimi i kyçjes në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e deri në përfundim të luftës.
Me këtë rast, dëshmitari Koqinaj ka thënë se në UÇK është kyçur në vitin 1998 dhe ka vazhduar angazhimin e tij në Magazinën numër 2 në Kukës, si person i caktuar për shpërndarjen e uniformave të UÇK-së deri në përfundim të luftës, ku bashkë me ushtarët gjermanë të KFOR-it është kthyer në Kosovë.
Dëshmitari ka thënë se ai vetë e ka hapur dhe mbyllur këtë magazinë, aty nuk ka fjetur askush në të sepse sipas tij në magazinë ka pasur vetëm uniforma. Ai ka thënë se person përgjegjës i magazinës ka qenë Rexhep Kelmendi.
Po ashtu, dëshmitari është pyetur se a kishte njohuri kush ishin Zijadin Hoxha dhe Bedri Dervishaj, dhe për doktorin Ilir Rakaj.























