Krasniqi takon shefin e misionit të FMN-së
B. H. | RTKlive
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Gabriel Di Bella dhe ekipin e tij.
Në një postim në Facebook i pari i PDK-së ka thënë se bashkë me Di Bellan diskutuan për situatën ekonomike dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi.
“Mysafirëve u shpreha qëndrimin se mungesa e komunikimit me sektorin privat, ambienti i pasigurt për investime, qasja problematike ndaj ekonomisë së tregut të lirë, ndryshimi i strukturës së buxhetit në dëm të shpenzimeve kapitale, janë vetëm disa nga veprimet e kësaj qeverie të cilat po e dëmtojnë perspektivën zhvillimore të vendit”, ka shkruar Krasniqi.
Ai tutje ka thënë se shefin e Misionit të FMN-së e falënderoi për vizitën dhe i shprehu bashkëpunimin e plotë të PDK-së në favor të proceseve të rëndësishme për stabilitetin ekonomik dhe fiskal të shtetit.























