Rohde: Ne qëndrojmë gjithmonë pranë Kosovës
BKT
Lajme

Rohde: Ne qëndrojmë gjithmonë pranë Kosovës

B. H. | RTKlive

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, duke iu drejtuar të pranishmëve në pritjen me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, theksoi rëndësinë e miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë dhe tha se qëndrimi i vendit të tij mbetet i pandryshuar, Gjermania do të jetë me Kosovën edhe në të ardhmen.

“Sulmi i javës së kaluar ishte sulm ndaj integritetit territorial të Kosovës. Kemi vajtuar së bashku me familjen e policit të vrarë Afrim Bunjaku dhe gjithë vendin. Kjo ngjarje tragjike është një konfirmim se ne qëndrojmë gjithmonë pranë Kosovës në mbrojtje të pozitës së saj të drejtë, si anëtare sovrane e familjes evropiane, sepse besimi ynë i fortë, ai që ka vlejtur për bashkimin e Gjermanisë në vitin 1990, mbetet i vërtetë për Kosovën dhe mbarë rajonin sot”, tha ambasadori Rohde.

Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar Gjermaninë, e cila, siç theksoi ajo gjithmonë ka qëndruar pranë Kosovës në momente të vështira. Më pas ajo u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të BE-së që të mbajnë qëndrim të vendosur ndaj Serbisë.

"Ne mirëpresim gatishmërinë e Gjermanisë për të rritur praninë e saj ushtarake në Kosovë si pjesë e misionit të KFOR-it. Kjo është arsyeja pse sot, kur festojmë unitetin e kombit të madh gjerman, nuk mund t'i mbyllim sytë para dëshmive që tregojnë për përfshirjen e Serbisë në aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës. Është e rëndësishme që Evropa dhe i gjithë komuniteti euroatlantik të marrin një qëndrim vendimtar dhe të vendosin sanksione ndaj Serbisë dhe Vuçiqit, duke dërguar një sinjal të qartë se aktet terroriste dhe aktet e agresionit kundër një shteti sovran, të pavarur dhe demokratik janë të papranueshme dhe se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi”, tha presidentja Osmani.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti tha se, Republika e Kosovës dhe populli i saj kanë qenë ndër përfituesit më me fat të përkushtimit të palëkundur të Gjermanisë për dinjitetin njerëzor, paqen dhe sigurinë. Në këmbim, shtoi më tej ai, ne jemi zotuar dhe kemi punuar pa u lodhur në praktikën e përditshme të ndërtimit, forcimit dhe mbështetjes së unitetit dhe demokracisë në këtë vend.

“Bashkimit të Gjermanisë i ka paraprirë rënia e Murit të Berlinit dhe në Ballkan tani kemi Procesin e Berlinit, samiti i të cilit është më pak se dy javë në Tiranë. Ne besojmë shumë në këtë proces. Ai nuk është vetëm një çelës i vërtetë për të nxitur bashkëpunimin dhe zhvillimin në rajonin tonë, por mund të shërbejë si forca lëvizëse e integrimit të plotë në BE për të gjashtë shtetet e Ballkanin Perëndimor – duke shembur muret imagjinare, e për t’u bashkë dhe më të fortë”, tha  Kurti.

Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, kryeministri falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e saj të vazhdueshme në dekadat e fundit.

“Me mirënjohje për partneritetin tonë dhe me optimizëm për të ardhmen tonë evropiane, ju uroj Ditën e Ribashkimit”, theksoi Kurti.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe shumë zyrtarë të tjerë të institucioneve të Kosovës, përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë dhe trupi diplomatik.

Dita e Unitetit Gjerman është një festë kombëtare në Gjermani që festohet që nga viti 1990 më 3 tetor, kur u përfundua zyrtarisht bashkimi i dy Gjermanive.


MË SHUME NGA Lajme