Pas sulmit terrorist, Serbia duhet të sanksionohet nga ndërkombëtarët
BKT
Në Fokus

Pas sulmit terrorist, Serbia duhet të sanksionohet nga ndërkombëtarët

Pajtim Çuni/Radio Kosova

Krerët e shtetit të Kosovës po kërkojnë nga faktori ndërkombëtar ndëshkim të Serbisë, pas sulmit terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Edhe ekspertë të sigurisë thonë se Serbia duhet të sanksionohet nga ndërkombëtarët, pasi në të kundërtën ajo mund ta përsërisë krimin.

Pas sulmit terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serbësh, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, u lënduan tre policë të tjerë dhe u vranë disa sulmues serbë, krerët e shtetit të Kosovës kërkuan nga faktori ndërkombëtar që të ndëshkojë Serbinë.

Sanksione ndaj Serbisë kërkoi edhe kryeministri Albin Kurti të enjten e 28 shtatorit, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

“Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar, ajo do ta përsërisë krimin”, tha Kurti.

Edhe eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, thotë për Radio Kosovën se pas sulmit terrorist në Banjskë, Serbia duhet sanksionuar.

“Sanksione duhet të ketë për Serbinë, sepse në rastin e Banjskës ka pasur një agresion të pastër. Faktet janë në anën tonë. Tash i mbetet Qeverisë së Kosovës që këto t’i administrojë në vendin dhe kohën e duhur që të vendoset drejtësia në vend. Kjo për ne si shtet  është  më rëndësi, pra që të dëshmohet se historikisht Serbia është ajo që ka provokuar çdoherë konflikte. Dhe nëse nuk do të ketë sanksione ndaj Serbisë, ajo nuk do të ndalet”, tha ai.  

Kajtazi thotë se vendosja e sanksioneve ndaj Serbisë nga ana e Bashkimit Evropian mund të marrë kohë, pasi procedurat janë burokratike.

Sipas tij, për BE-në është më rëndësi që konflikti të mbetet i izoluar dhe të mos përshkallëzohet më tutje.  

Ndërkohë, nga Bashkimi Evropianë e kanë cilësuar sulm terrorist atë që ndodhi më 24 shtatori në Banjskë të Zveçnit.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano,ka thënë ditë më parë se është i domosdoshëm një hetim i plotë për këtë sulm si dhe të vendoset drejtësia në këtë rast.


MË SHUME NGA Në Fokus