Stojkoviq: Radojiçiq është terrorist, kam bërë kallëzim penal kundër tij
M.Sh/RTKlive
Avokati serb nga Beogradi, Çedomir Stojkoviq ka dorëzuar në Gjykatën serbe një kallëzim penal për terrorizëm dhe ndihmë të terrorizimit kundër liderit serb të veriut, Milan Radojiçiq. Ai thotë se secili grup paramilitar, jashtë strukturave shtetërore që përdorë armët, sipas ligjeve serbe, konsiderohet si terrorist.
“Të gjitha “grupet paramilitare” jashtë strukturës formale shtetërore janë grupe terroriste, sipas ligjeve të Republikës së Serbisë, veçanërisht nëse janë të armatosur rëndë dhe nëse duan të përdorin forcën për të arritur qëllimet politike. Çdo përdorim (joshtetëror) i forcës në zbatimin e çdo politike është terrorizëm. Dhe çdo grup i tillë është një grup terrorist. Grupi i Milan Radoiçiqit është një grup terrorist”, ka deklaruar ai.
Stojkoviq në rrjetin social X (ish-Twitter) parqet disa fotot të grupit të Radojiçiqit dhe përmend faktin se si një kolonë me makina plotë me armë, kalon nëpër Serbi dhe hyn në territorin e Kosovës “pa u parë nga askush”.
“Është territori më i siguruar i Serbisë, ku janë dislokuar vazhdimisht njësiti antiterror, forcat speciale dhe ushtria serbe. Mund ta testojmë këtë: le të fillojmë me 25 automjete në një kolonë në të njëjtën rrugë si grupi i Milan Radoiçiqit dhe të shohim se sa larg do të shkonin - do të ishin arrestuar tashmë në Novi Pazar”, thotë Stojkoviq.
Armët që janë konfiskuar, sipas tij, janë armë ushtarake (mina kundërtank, granata për mortaja, sisteme raketore Pritiv-tek), prodhimi dhe shpërndarja e të cilave është në kontrollin e Republikës së Serbisë.
“Asnjë pajisje e tillë nuk mund të kishte dalë nga magazinat dhe fabrikat serbe dhe të vinte në duart e atij grupi, pa ndihmën dhe organizimin e njerëzve të lartë të shërbimeve të sigurisë serbe. Ashtu siç nuk mund të marr në dorë një raketë HIMARS apo një sistem Javelin pa miratimin dhe ndihmën e qeverisë amerikane. Të ndihmosh grupin e Milan Radojiçiqit me armë po ndihmon terrorizmin”, thotë avokati serb.Dhe pikërisht këtë, ai konsideron se ka bazë të mjaftueshme për të bërë kallëzim penal.
Epoka e grupeve paraushtarake në Evropë, sipas tij, duhej të vdiste së bashku me Sllobodan Millosheviqin, i cili gjatë viteve nëntëdhjetë së bashku me Vojislav Sheshelin formuan grupe të tilla paraushtarake për të vepruar në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.
“Ato grupe ishin formalisht jashtë shërbimit të Sllobodan Millosheviqit dhe joformalisht në varësi të Beogradit, i cili i armatosi dhe u siguronte logjistikën. Kështu është edhe tani me grupin e Milan Radoiçiqit. Aleksandar Vuçiq, si nxënës dhe nxënës i Voijslav Sheshelit, mori pjesë në organizimin e grupeve paraushtarake në vitet nëntëdhjetë dhe aty fitoi përvojë dhe mendime pozitive për këtë. Prandaj sot, ekziston një organizatë paraushtarake e Serbisë në veri të Kosovës, ashtu siç bëri Beogradi në Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci. Fatkeqësisht, ne e dimë se sa keq përfundoi nga të dyja palët”, thotë ai.
Ato organizata paraushtarake në vitet nëntëdhjetë, sipas Stojkoviqit, kryen shumë mizori dhe krime lufte. Pas rënies së Sllobodan Millosheviqit, të gjitha këto “organizata paramilitare”, siç thotë më tej ai, janë organizata terroriste sipas ligjeve të Serbisë.
“Refuzimi i Serbisë për ta trajtuar në këtë mënyrë grupin e Milan Radoiçiqit dëshmon se autoritetet serbe po punojnë së bashku me të. Këtë foto e plotëson lirimi i sotëm i Radoiçiqit, pasi ka kaluar më pak se 24 orë në paraburgim në Beograd”, deklaron avokati serb.
Avokati serb që ka bërë kallëzim penal thotë se e vetmja mënyrë që Serbia të shmangë fatin e viteve nëntëdhjetë dhe të ruajë çdo potencial negociues, është arrestimi i menjëhershëm i të gjithë anëtarëve të atij grupi dhe ndalimi i tyre.Serbia vetëm me arrestimin e menjëhershëm të të gjithë anëtarëve të atij grupi, sipas tij, mund të tregojë se aktivitetet e atij grupi nuk përfaqësojnë politikën e Serbisë.
Ai tregon se pse ka dorëzuar kallëzim penal në gjykatë.
“Sot kam bërë ankesë penale për terrorizëm për të bërë një dallim të qartë në lidhje me këtë. Ky lloj i kallëzimit penal është dashur të parashtrohet nga autoritetet shtetërore të Serbisë. Ata nuk e bënë. Në vend të kësaj kam paraqitur unë”, deklaroi avokati Çedomir Stojkoviq.























