Kuvendi i Shqipërisë, seancë të posaçme plenare për Kosovën më 12 tetor
BKT
Lajme

Kuvendi i Shqipërisë, seancë të posaçme plenare për Kosovën më 12 tetor

rtsh.al

Konferenca e Kryetarëve vendosi sot që më 12 tetor, Kuvendi të mbajë seancë të posaçme për sulmin e ndodhur më 24 shtator në veri të Kosovës, prej të cilit mbeti i vrarë nga grupe të armatosura serbësh polici Afrim Bunjaku.

Mbledhja shqyrtoi kërkesat e dy grupeve parlamentare, atë të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, për mocion dhe miratim projektrezolute në seancë plenare për dënimin e sulmit të armatosur terrorist në veri të Kosovës.

Seanca planifikohet të zgjasë 5 orë dhe paraprakisht njoftohet se grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka propozuar një draft-rezolutë, ku sulmi në veri të Kosovës cilësohet akt terrorist dhe kërkohet nga Serbia që të heqë dorë nga qëndrimet dhe veprimet armiqësore e luftënxitëse ndaj Republikës së Kosovës, të hapë një hetim serioz e transparent ndaj tërë organizmave dhe shkaktarëve të operacioneve ushtarake terroriste ndaj Republikës së Kosovës dhe të dorëzojë kriminelët.

Edhe, deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka propozuar një rezolutë tjetër, ku theksohet e nevojshme që edhe Kuvendi i Shqipërisë t’i bashkohet qëndrimit të Kuvendit të Kosovës, duke miratuar një rezolutë të njëjtë dhe duke unifikuar qëndrimin mes dy shteteve.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla bëri gjithashtu me dije paraqitjen e një amendamenti dhe interpelance me objekt sulmin e armatosur në Kosovë.

Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve ra dakord që të gjitha kërkesat e paraqitura të kalojnë në Komisionin për Politikën e Jashtme, me qëllim arritjen e një drafti të dakorduar mes palëve, dhe më pas të kalojë në seancë plenare për votim.


MË SHUME NGA Lajme