Daja: Kemi respekt për Dinamon, por pa e hequr respektin për vete
Uran Krasniqi / RTKLive
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka thënë se skuadra që ai e drejton e respekton Dinamon e Zagrebit, por nuk do të heqë dorë as nga respekti për veten.
Një ditë para ndeshjes së vlefshme për Conference League trajneri i kampionit kosovar është shfaqur në konferencë për media për të folur për ndeshjen e cila zhvillohet të enjten në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë.
Trajneri shqiptar ka theksuar se Ballkani është përgatitur për takimin.
"Mendoj që e kemi gjendjen e mirë si në aspektin psikologjik, ashtu edhe në atë fizik, pasi kemi ritëm shumë të mirë në kampionat, me gjashtë fitore dhe një barazim. Kemi bërë shumë mirë në kampionat dhe shpresojmë që atë ritëm ta tregojmë edhe ndaj Dinamos", ka thënë Daja. "Jemi përgatitur mirë dhe shpresojmë që nesër të bëjmë diçka të bukur".
Ai e ka përshkruar skuadrën kroate shumë të vështirë.
"Besoj që është nga kundërshtarët më të vështirë që kemi pasur. Unë jam përballur me ata edhe kur isha te Skënderbeu dhe mund të them se hyn në tre kundërshtarët më të vështirë me të cilët kemi luajtur", ka thënë Daja.























