Tiranë, nis takimi i ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit
BKT
Lajme

Tiranë, nis takimi i ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit

rtsh

Nisi sot në Tiranë takimi i ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit me pritjen e delegacioneve. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mirëpriti ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, vendeve të BE në Procesin e Berlinit, përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, si dhe përfaqësues të organizatave rajonale.

Hasani priti me radhë George Gerapetritis, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Olivér Várhelyi, komisionerin e BE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, ministrin e Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiç, ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviç, njëkohësisht ministri në Detyrë për Punët e Jashtme.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Analena Berbok (Annalena Baerbock) në një deklaratë për media nga Pallati i Brigadave në nisje të Ministerialit, ka komentuar çështjet që lidhen me migracionin e paligjshëm, situatën e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë dhe integrimin evropian të rajonit.

Në lidhje me këtë të fundit, ministrja gjermane u shpreh se nevojitet përshpejtim i procesit integrues të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Është qëndrimi i qeverisë gjermane dhe i Bashkimit Evropian që të përshpejtohet integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE. Me të drejtë ka pasur një lodhje në vitet e fundit nga të rinjtë, të cilët kanë zgjedhur rrugën drejt Evropës. Edhe ne si qeveri gjermane në këto vite e kemi përsëritur se nëpërmjet Procesit të Berlinit duhet t'i japim një zgjidhje kësaj. Kjo do të arrihet me politikën e lëvizjes së lirë, për të jetuar dhe punuar në vendin ku ata duan”, u shpreh ajo.

Siguria në rajon, ishte një tjetër pikë në të cilën ministrja gjermane u ndal gjatë komunikimit të saj për mediet.

Berbok u shpreh se është në interes të të gjitha vendeve, që qytetarët të jetojnë të sigurt e të lirë.

“Ideja është që të punojmë së bashku me rajonin në kuadër të Procesit dhe për këtë kemi vërejtur shumë reforma të kryera në vitet e fundit. Ndërsa në ditët dhe javët e fundit kemi pasur çështjen e sigurisë në fokus, e cila do të ishte në interesin e të gjitha vendeve të rajonit, që njerëzit të jetonin të sigurt, të lirë dhe në miqësi me njëri-tjetrin”, deklaroi ajo.

Sa i përket tensioneve në veri të Kosovës, Berbok shprehu shqetësimin mbi sulmin në Banjskë, teksa shtoi se “prandaj Procesi i Berlinit është një nismë e cila apelon direkt se rruga për në BE duhet kryer së bashku, duke respektuar integritetin territorial".

24 delegacione nga vendet anëtare të Procesit të Berlinit janë pjesë e takimit të ministrave të Jashtëm i cili i paraprin samitit të Procesit të Berlinit që do mbahet në Tiranë më 16 tetor.

Sipas njoftimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, takimi do të drejtohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Takimi do të ketë 2 sesione të cilat do të jenë të mbyllura dhe në fund ministri Hasani, ministrja gjermane Baerbock dhe komisioneri Varhelyi do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.


MË SHUME NGA Lajme