Baerbock: Çelësi i zgjidhjes së konfliktit është në Beograd dhe Prishtinë
M.Miftari/RTKlive
Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, në konferencën për medie mbajtur në Tiranë, pas takimit të ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit ka folur mes tjerash, për situatën në Kosovë, pas agresionit të Serbisë më 24 shtator.
Baerbock tha se presin prej qeverisë serbe që të mund të çojë më përpara proceset hetimore të ngjarjeve të 24 shtatorit, në mënyrë që të kontribuojnë në sqarimin e rrethanave dhe ngjarjeve të majit kundër ushtarëve të KFOR-it
“Situata është kaq e tensionuar, sa që NATO ka rritur prezencën e KFOR-it dhe përmes këtij sinjali, bëjmë të ditur se qëndrojmë vigjilent, kontribuojmë në terma afatgjatë në stabilitetin e sigurinë. Dhe të ardhmen e rajonit e kemi për zemër”, deklaroi ministrja Baerbock, teksa shtoi se çelësi i zgjidhjes së konfliktit është në Beograd dhe në Prishtinë.
“Këtë gjë e kam bërë të qartë edhe në takimin mes ministrave të Jashtëm, se nuk ka alternativë tjetër veçse Serbia e Kosova të angazhohen në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit”, tha tutje Baerbock, ndërsa inkurajoi bartësit e institucioneve të të dyja vendeve, që të jenë të gatshëm për kompromis, më shumë kurajo për t'u bërë ballë edhe rrymave të kundërta të politikës së brendshme, ngase, sikundër tha ajo, pikërisht mbi këto baza është ngritur BE.























