Vahrelyi: Autorët e sulmit të 24 shtatorit të dalin para drejtësisë
BKT
Lajme

Vahrelyi: Autorët e sulmit të 24 shtatorit të dalin para drejtësisë

M.Miftari/RTKlive

Komisioneri evropian për zgjerimin, Oliver Varhelyi ka kërkuar që autorët e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të dalin para drejtësisë dhe që autoritetet serbe duhet  të bashkëpunojnë në lidhje me këtë çështje. Ai po ashtu ka thënë se nevojitet shtensionimi i situatës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këto deklarata Varhelyi i bëri gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Igli Hasani, në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Së pari duhet të kemi një shtensionim të plotë mes Prishtinës dhe Beogradit, së dyti duhet të rikthehet dialogu dhe të jepen rezultate duke vënë në zbatim të gjitha marrëveshjet e mëparshme, përfshirë ato në Ohër. Së treti, të gjithë autorët duhet të dalin para drejtësisë, dhe drejtësia jo vetëm që duhet të flasë, pra autoritetet serbe duhet që të bashkëpunojnë plotësisht me ne në lidhje me këtë çështje. Kjo besoj se është gjuhë e qartë, nuk mund të ketë një keqkuptim në këtë  çështje”, deklaroi Varhelyi.

Ai më tej shtoi se Procesi i Berlinit është dhe mbetet një platformë më e besueshme me anë të të cilës BE tregon angazhimin dhe përkushtimin tij për rajonin.

“Zgjerimi me Ballkanin Perëndimor është synim me përparësi kyçe, prandaj kemi sjellë planin e investimeve ekonomike”, theksoi Vahrelyi, teksa premtoi se Komisioni do të sjellë një plan të ri për rritjen në javët në vijim dhe ky plan sipas tij do të ketë synimin për përshpejtimin integrimit ekonomik, mundësi që Ballkani Perëndimor të integrohen në tregun e përbashkët ekonomik edhe më përpara se të ndodh anëtarësimi në BE.

Ai shtoi se BE është e gatshme të sjellë investime të reja.

 


MË SHUME NGA Lajme