Ambasadorja Iberhysaj-Kapitaj dorëzon kredencialet në Presidencën Çeke
BKT
Lajme

Ambasadorja Iberhysaj-Kapitaj dorëzon kredencialet në Presidencën Çeke

V.Th. RTKlive

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj-Kapitaj i dorëzoi letrat kredenciale presidentit të Republikës së Çekisë Petr Pavel.

Ambasadorja me këtë rast shprehu mirënjohjen për miqësinë mes dy vendeve dhe i përcolli presidentit Pavel, përshëndetjet dhe shprehjen e konsideratës më të lartë të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.

Ajo ka thënë se ngritja e nivelit të përfaqësimit pas më shumë se 15 vitesh nga lidhja e Marrëdhënieve Diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Çekisë, shënon një hap historik.

“Ky gur themeli i fortë për marrëdhëniet tona bilaterale, do të shërbejë për të nxitur e shpalosur më tej edhe bashkëpunimin tonë në planin multilateral. Kjo arritje, pa padyshim është dëshmi e raporteve tona të shkëlqyera, të zhvilluara e forcuara ndër vite bazuar në një partneritet të qëndrueshëm, ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të demokracisë dhe  respektimit të të drejtave të njeriut”, ka shkruar Iberhysaj-Kapitaj në Facebook.

Iberhysaj-Kapitaj, shtoi se sot, shpalosim një kapitull të ri në raportet me Republikën Çeke, ndërsa ecim të sigurt drejtë së ardhmes sonë euro-atlantike, si një shtet sovran, demokratik dhe multietnik.

“Andaj, sot është momenti të kujtojmë dhe t’u jemi mirënjohës të gjithë miqve e aleatëve që me përkushtim qëndrojnë përkrah nesh në rrugëtimin e përbashkët për një të ardhme prosperuese”, ka shkruar ajo.

Ambasadorja ka falënderuar të gjithë miqtë çekë, të cilët mbështetën dhe punuan që raportet Kosovë-Çeki të arrijnë nivelin më të lartë të përfaqësimit.

“Mirënjohje presidentit dhe qeverisë Çeke për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin tonë euroatlantik”.


MË SHUME NGA Lajme