Arrestohen dy persona për pengim të drejtësisë, dërgohen në Hagë
BKT
Gjykata Speciale

Arrestohen dy persona për pengim të drejtësisë, dërgohen në Hagë

Sh.Ç /RTKlive

Zyra e Prokurorit të Specializuar,  ka bërë të ditur se i ka arrestuar dy persona në Kosovë, të dyshuar për pengimin e drejtësisë dhe frikësimin e një dëshmitari.

Në njoftim, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi u arrestuan në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës  dhe se ata janë dërguar në qendrën e paraburgimin të DHSK-së në Hagë, ku do të dalin para një gjykatësi së shpejti.

Ata dyshohet se u përpoqën ta “bindnin një dëshmitar të mos dëshmonte” në gjyqin e Dhomave të Specializuara, sipas njoftimit.

“Bahtjari dhe Januzi u arrestuan në lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale, sipas nenit 387 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401(1), (2) dhe (5) të KPK-së, në shkelje të nenit 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka vendosur se ka dyshime të mirë-bazuara se z. Bahtjari dhe z. Januzi u përpoqën të bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në procedurat e Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, EULEX-i dhe Policia e Kosovës ndihmuan në arrestimin e Bahtjarit dhe Januzit.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve, dhe pengimin e drejtësisë, dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast”, thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale