Viziton Banjskën, llir Peci, thotë se situata është më e qetë
Edina Avdiu/ RTK
Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, vizitoi fshatin Banjskë, aty ku më 24 shtator një grup terroristësh serbë sulmuan Republikën. Situata është e qetë aktualisht, ndërkohë që qytetarët atje, sipas kryetarit të Zveçanit, i janë kthyer normalitetit.
Rreth dy javë më parë, në këtë vend dëgjoheshin krisma armësh, që vinin nga një grup terrorist serb në drejtim të Policisë së Kosovës.
Kur kanë kaluar gati dy javë nga sulmi terrorist, në Banjskë dëgjohen vetëm hapat e mësuesve të fshatit, teksa largohen nga shkolla sapo përfundohet mësimi.
Banorët e Banjskës i janë kthyer normalitetit.
E në vendin ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, tashmë janë larguar kamionët që terroristët serbë i kishin vendosur si barrikadë.
Aty vazhdojnë të qëndrojnë kolegët e Afrim Bunjakut, duke monitoruar gjendjen në fshat.
Këta të fundit u vizituan mbrëmë nga kryetari i Zveçanit.
Ilir Peci, që detyrën e ushtron nga zyra alternative në fshatin Lipë, tregon se situata në Banjskë është më e qetë.
"Tash situata është më e qetë, gjithçka është nën kontrollin e Policisë së Kosovës. Dje isha edhe në vizitë në fshatin Banjskë, gjendja ishte e qetë ", tha kryetar i Zveçanit.
Ai shton se të gjithë qytetarët të Zveçanit, pa dallim, po marrin shërbime në komunë.
"Të gjithë qytetarët e komunës së Zveçanit, serbë, shqiptarë, vazhdimisht marrin shërbime, vijnë çdo ditë, nuk ka asnjë telashe. Ka kërkesa për letërnjoftime, pasaporta, kohëve të fundit edhe për regjistrime të automjeteve", tha Peci.
Kryetari që u zgjodh me pakicë votash, pas bojkotit të serbëve, tregon se në Banjskë nuk kishte takim direkt me banorët, por thotë se këta të fundit i pa të qetë, duke i kryer punët e tyre nëpër fshat.
Ilir Peci, i cili detyrën e ushtron nga zyra alternative në fshatin Lipë, tregon se situata në Banjskë është më e qetë.























