Kurti: Na duhet më shumë siguri për Kosovën dhe sanksione për Serbinë
BKT
Lajme

Kurti: Na duhet më shumë siguri për Kosovën dhe sanksione për Serbinë

Blerim Halimi | RTKlive

(E plotësuar, 14:10) Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pas sulmit terrorist që ndodhi të dielën e 24 shtatorit, e ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duhet të ketë më shumë siguri për Kosovën dhe sanksione për Serbinë.

“Siguri do të thotë para së gjithash siguri e kufirit tonë, i cili është mjaft i gjatë kur bëhet fjalë me fqinjin tonë verior Serbinë. Pra, më shumë paqeruajtës që do të patrullojnë së bashku me policinë tonë përgjatë kufirit të gjatë në rajonet malore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, ne kemi nevojë për dënim për Serbinë, sepse ajo do t’i përsëris krimet e veta nëse nuk ka dënim nga BE-ja dhe NATO-ja. Çfarë na duhet tjetër është që këto organizata terroriste që i kemi shpallur si të tilla para 3 muajsh, pra Brigada Veriore dhe Mbrojtja Civile, të shpallen terroriste edhe nga miqtë tanë aleatë dhe partnerë”, ka theksuar Kurti në intervistë për Sky News.

Ai po ashtu ka kërkuar largimin e ushtrisë dhe bazave ushtarake të Serbisë përreth kufirit të Kosovës, pasi ka thënë se autoritetet e Beogradit kanë abuzuar me vendimin e NATO-s të para dy viteve për të hequr Zonën e Sigurisë në verën e vitit 2001, që ka qenë 5 kilometra.

“Zona e Sigurisë tokësore rreth kufirit të Kosovës është hequr para dy vitesh dhe gjithandej në atë brez kufitar janë vendosur këto 48 baza operative të ushtrisë serbe”, ka thënë Kurti.

Ai tutje ka thënë se ende nuk kanë prova që Serbia i ka tërhequr forcat ushtarake përreth kufirit, siç u ka premtuar shteteve perëndimore.

Duke folur për reagimin e Brukselit dhe vendeve tjera përndimore pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, kryeministri ka thënë se “dënimet e fundit janë më të forta se më parë”, por sipas tij ajo që ka ndodhur me vendin tonë është edhe më e keqe se sa ky dënim.

“Dua dënim të fortë nga të gjithë dhe dua siguri për Kosovën dhe këto fjalë dënimi të bëhen akte sanksionimi”, ka shtuar kryeministri.

Duke folur për dialogun në Bruksel, Kurti ka thënë se “ne nuk mund të kthehemi në punë si zakonisht pas 24 shtatorit”.

Ai ka thënë se asgjë më nuk është e njëjtë dhe nuk duhet të ketë tolerancë ndaj shkeljeve të Marrëveshjes Bazike.

“Brukseli është një arbitër që duhet të mbajë bilbilin dhe ta përdorë atë sa herë që ka shkelje të marrëveshjes. Neni tre i Marrëveshjes Bazike thotë se palët duhet t'i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me mjete paqësore dhe të përmbahen nga kërcënimet apo përdorimi i dhunës. Pres që Brukseli të emërtojë dhe dënojë çdo shkelje të Marrëveshjes sonë Bazike, në këtë mënyrë që të mund të rikthehemi rrugën e zbatimit të saj dhe ‘de facto’ të njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mundësimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, demokratike e evropiane”, ka theksuar Kurti.

Kurti për Sky News: Serbia dështoi ta nisë një luftë të re

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se më 24 shtator, Serbia u përpoq të niste një luftë të re në rajon, por dështoi në këtë synim pavarësisht se solli në territorin e vendit tonë përreth 80 persona të armatosur rëndë, paraushtarakë, terroristë dhe kriminelë në Manastirin Ortodoks të Banjskës në Zveçan, e ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Ata donin të fillonin një luftë të re sepse donin të destabilizonin Kosovën. Ky akt agresioni paraqet cenim të integritetit tonë territorial, të sovranitetit shtetëror dhe sigurisë kombëtare. Ata u përpoqën të destabilizojnë vendin tonë, por dështuan”, ka thënë Kurti në një intervistë për Sky News.

Ai ka thënë se nuk mund të thotë me siguri nëse ata nuk do të provojnë sërish një agresion të tillë, duke marrë parasysh synimet e tyre politike dhe mosnjohjen e vendit tonë nga ana e tyre, por  edhe faktin që ata nuk po përballen me krimet të cilat i kanë kryer në të kaluarën.

Prandaj, ka thënë kryeministri Kurti, është më mirë të përgatitemi për përpjekje të ngjashme në të ardhmen, e për të cilat duhet të sigurohemi se ato do të dështojnë përsëri.

“Serbia nuk është një vend demokratik. Ata kanë një regjim autoritar dhe presidenti i Serbisë është një autokrat famëkeq, kështu që është e pamundur që gjëra të tilla të ndodhin pa dijen e tij. Unë mendoj se ai kishte njohuri të plotë sepse ai ishte në përgatitjen e tij dhe ai ishte pjesë e asaj që na ka ndodhur, duke sjellë njerëz, që ulen pranë tij në takime të rëndësishme në Beograd, në uniformat paraushtarake për të sulmuar vendin tonë dhe për të vrarë policinë tonë”, ka shtuar Kurti.

Ai tutje ka thënë se nuk ka asnjë mundësi që sasia aq e madhe e armatimit që kishte grupi terrorist serbë të bëhej pa përkrahjen e Serbisë.

“Municioni që është gjetur, pajisjet ushtarake, dronët, kallashët, raketahedhësit AK-47,  të gjitha erdhën nga Serbia. Ata i kanë prodhuar këto armë në fabrikën ushtarake ‘Zastava’ në pronësi shtetërore. Nuk ka asnjë shans që këto armë t’i merrnin pa përkrahjen shtetërore serbe. Prokuroria jonë tani ka prova se ata kanë mbajtur edhe dokumente bashkë me këtë armatim të rëndë. Municioni dhe armatimi që ka vlerë mbi 5 milionë euro është prodhuar në dy fabrika ushtarake në pronësi të Serbisë”, ka deklaruar ai.

Duke folur për lidhjen e Aleksandër Vuçiqit me terroristin Milan Radojiçiq, i cili ishte në krye të grupit që kreu sulmin në Banjskë, kryeministri Kurti e ka krahasuar me atë të presidentit rus me ish-shefin e Wagnerit, Yevgeny Prigozhin.

“Milan Radojiçiq është Prigozhini i vogël, sepse Putini i vogël në Beograd, Vuçiqi, ka Prigozhinin e tij të vogël në malet që e rrethojnë Kosovën, të quajtur Milan Radojiçiq. Ai e pranoi se e organizoi këtë sulm terrorist”, ka nënvizuar Kurti.

Kryeministri ka kërkuar që Radojiçiq të ekstradohet dhe të gjykohet në Kosovë, aty ku edhe e kreu krimin.


MË SHUME NGA Lajme