Kosova dënon sulmin terrorist në Izrael
BKT
Në Fokus

Kosova dënon sulmin terrorist në Izrael

F.S / RTKlive

Liderët e shtetit dhe partitë politike në Kosovë i kanë dënuar sulmet e sotme të Hamasit në Izrael.

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se është e tmerruar nga sulmet terroriste dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Izrael.

Osmani në llogarinë e saj në platformën 'X', ka shprehur solidaritetin e plotë me popullin dhe shtetin e Izraelit.

“Të tmerruar nga sulmet terroriste dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Izrael. Shprehim solidaritetin tonë të plotë me presidentin Isaac Herzog, popullin dhe shtetin e Izraelit në këto orë të errëta. Mendimet tona janë me familjet e viktimave”, ka shkruar Osmani.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti tha se Kosova qëndron me Izraelin pas sulmeve terroriste nga Hamasi.

“Republika e Kosovës dënon pa mëdyshje sulmet e sotme terroriste kundër shtetit të Izraelit. Mendimet tona janë me popullin e Izraelit gjatë kësaj kohe tepër sfiduese. Ne dënojmë të gjitha aktet e dhunës dhe qëndrojmë në solidaritet të palëkundur me të prekurit”, ka shkruar Kurti, po ashtu në platformën “X”.

E sulmin terrorist mbi Izraelin e ka dënuar edhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca. “I tronditur thellë nga sulmet terroriste të mëngjesit të sotëm kundër Izraelit. Ne qëndrojmë në solidaritet me shtetin e Izraelit dhe popullin e tij gjatë kësaj kohe sfiduese. Në emër të Kuvendit të Kosovës u shpreh ngushëllimet tona të përzemërta familjeve që humbën më të dashurit e tyre”, ka shkruar Konjufca në “X”.

Ndaj sulmit të Hamasit në Izrael kanë reaguar edhe partitë opozitare. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se janë të tmerruar nga sulmi kundër shtetit të Izraelit. “Ne qëndrojmë në solidaritet me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë të prekurit. Dhuna nuk është kurrë një zgjidhje dhe ne shpresojmë për një fund të menjëhershëm të armiqësive”. Lidhja Demokratike e Kosovës po ashtu ka dënuar ashpër sulmin terrorist dhe ka theksuar se qëndrojnë përkrah popullit izraelit.

“Sulme të tilla terroriste janë të papranueshme dhe i dënojmë fuqishëm”, thuhet ndër të tjera në reagimin e LDK-së.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe shtetit të Izraelit.

"Qëndrojmë pranë Izraelit në këtë ditë të vështirë për ta. Sulmet terroriste në popullatën civile, pengmarrjet dhe agresioni, janë dhimbje e madhe për të gjithë botën demokratike", thuhet në reagimin e Haradinajt.


MË SHUME NGA Në Fokus