CNN: Të paktën 3 amerikanë u vranë pranë kufirit të Gazës
B. H. | RTKlive
(E plotësuar 22:10) Të paktën tre amerikanë janë vrarë pas sulmeve në Izrael afër kufirit të Gazës, sipas një dokumenti të brendshëm të qeverisë amerikane, të cilën e ka pati qasje CNN.
Më herët të dielën, Sekretari i Shtetit Antony Blinken i tha CNN-it se SHBA kishte marrë raporte për amerikanë të zhdukur dhe të vdekur dhe administrata po punonte "jashtë orarit" për t’i verifikuar ato.
Shkresa e brendshme thotë se Departamenti i Shtetit është në dijeni të tre shtetasve amerikanë të vrarë në periferi të Gazës, si dhe për amerikanë tjerë për fatin e të cilëve nuk dihet.
Ndërkohë, ambasada e SHBA-së në Jerusalem, ka përditësuar planifikimin e saj për situatat e jashtëzakonshme "për çdo evakuim eventual nga toka ose nga ajri", thuhet në dokument.
Të shtunën, ambasada amerikane krijoi një "vendstrehim” për personelin e ambasadës, pasi Hamasi filloi sulmin e tij të befasishëm.
Sulmi i Hamasit në festivalin e muzikës: Të paktën 260 trupa janë gjetur në vendin e një festivali muzikor izraelit pas sulmit të së shtunës nga Hamasi, ka njoftuar Shërbimit izraelit i shpëtimit “Zaka”, raporton CNN.
Persona të armatosur të Hamasit qëlluan mbi pjesëmarrësit që po largoheshin dhe morën peng të tjerët në këtë festival muzikor në një zonë bujqësore rurale pranë kufirit Gaza-Izrael.
Sulmi i tmerrshëm në këtë festival ishte vetëm një nga lokacionet e shumta të goditura të shtunën në mëngjes nga sulmi më i qëndrueshëm dhe më i koordinuar brenda Izraelit i kryer ndonjëherë nga Hamasi, grupi militant palestinez i cilësuar si një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Izraeli.
“Nova Festival” supozohej të ishte një festë vallëzimi gjatë gjithë natës, duke festuar kësisoj festën hebraike Sukkot.
Izraeli shpall gjendje lufte, më shumë se 600 njerëz të vrarë nga Hamasi
(E plotësuar, 18:20) Më shumë se 600 njerëz janë vrarë në Izrael që kur Hamasi filloi sulmin e tij të befasishëm të shtunën – dhe numri i të vdekurve pritet të rritet më tej, tha ministri izraelit i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, të dielën për CNN.
“Janë 600 njerë të vrarë. Ndoshta do të ketë më shumë - qindra, disa qindra të tjerë", tha Dermer.
Më shumë se 2,000 njerëz janë plagosur, sipas autoriteteve izraelite.
Luftimet në Izrael po vazhdojnë edhe sot, një ditë pasi luftëtarët e Hamasit depërtuan kufirin nga Gaza në një sulm shkatërrues, duke vrarë civilë dhe ushtarakë izraelitë.
Ushtria izraelite nis bombardimet në Rripin e Gazës
(E plotësuar, 15:10) Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) thanë se avionët luftarakë kanë goditur tre selitë ushtarake që i përkasin organizatave terroriste në Rripin e Gazës, të dielën pasdite, sipas kohës lokale.
“U goditën selitë ushtarake që i përkasin organizatës terroriste Hamas të përdorura për drejtimin e terrorit, si dhe selitë ushtarake që i përkasin organizatës terroriste të Xhihadit Islamik, që janë përdorur gjatë operacioneve të fundit, dhe selitë ushtarake shtesë që i përkasin organizatës terroriste të Xhihadit Islamik që janë përdorur nga forcat raketore të organizatës terroriste”, tha në një deklaratë IDF, raporton CNN.
Videot e drejtpërdrejta të dielën treguan shpërthime të shumta dhe shtëllunga të mëdha tymi që ngriheshin nga pjesët veriore dhe lindore të Gazës, duke përfshirë zonën e Beit Hanoun.
Shpallet gjendja e luftës: Kabineti i sigurisë i Izraelit ka shpallur zyrtarisht gjendjen e luftës, ka bërë të ditur zyra e shtypit e qeverisë izraelite të dielën. “Lufta iu imponua shtetit të Izraelit pas një sulmi terrorist vrastar nga Rripi i Gazës të shtunën”, thuhet në deklaratën e qeverisë. Kryeministri Benjamin Netanyahu është zotuar se vendi do të "marrë hak të fuqishëm" për sulmin terroristë nga militantët palestinezë. Shpallja e luftës është marrë në përputhje me nenin 40 të ligjit themelor të Izraelit, tha zyra e shtypit. Izraeli nuk ka një kushtetutë të shkruar, por 13 Ligjet e tij Themelore kanë funksion të ngjashëm.
Viktimat nga sulmet e Hamasit: Numri i njerëzve të vdekur në Izrael pas sulmeve të papritura të Hamasit të shtunën ka të ngjarë të jetë mbi 500, raporton CNN. “Zaka”, një shërbim shpëtimi emergjent që është i specializuar në trajtimin e trupave të të vdekurve, i tha CNN-it të dielën se kishte konfirmuar rreth 500 njerëz të vdekur. Ky numër nuk përfshin njerëzit që vdiqën ose u deklaruan të vdekur nëpër spitale, teksa “Zaka” nuk ka mundur të arrijë në çdo vend ku mendohet se janë vrarë njerëzit, që do të thotë se numri i përgjithshëm pothuajse sigurt është më shumë se 500.
Izraeli paralajmëron sulme të rënda brenda Gazës
(E plotësuar, 13:50) Më shumë se 20 komunitete ngjitur me gardhin e sigurisë në Gaza janë duke u evakuuar, tha ushtria izraelite.
Civilëve që jetojnë në këto zona u kërkohet të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga Hamasi dhe në pritje të përgjigjes izraelite brenda enklavës.
Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit tha për CNN se do të vijnë sulme të rënda brenda Gazës. Qeveria dhe ushtria izraelite ishin, që nga mëngjesi i së dielës, ende në proces të përcaktimit se cilat do të ishin qëllimet për reagimin e saj të mundshëm ushtarak.
Sulm i gjithanshëm: E shtuna shënoi një nga ditët më të errëta në historinë 75-vjeçare të Izraelit, pasi grupi militant islamik Hamas nisi një sulm të papritur vdekjeprurës, duke synuar civilët dhe ushtarët izraelit. Sulmi filloi herët të shtunën, me Hamasin që lëshoi raketa drejt Izraelit; me dërgim të militantëve përtej kufirit me rrugë tokësore, ajrore dhe detare; dhe duke u bërë thirrje civilëve të marrin armët kundër Izraelit. Militantët e Hamasit ende po kryejnë sulme në tokën izraelite. Deri të dielën pasdite mijëra persona ishin plagosur, të paktën 350 izraelitë janë të vrarë dhe "dhjetëra" civilë dhe ushtarë janë marrë peng.
Kundërpërgjigja izraelite: Izraeli është përgjigjur me sulme ajrore që synojnë Hamasin. Brenda Gazës, të paktën 313 palestinezë kanë vdekur dhe më shumë se 1,900 janë plagosur, tha ministria palestineze e Shëndetësisë.
Hakmarrja: Kryeministri Benjamin Netanyahu u zotua se vendi do të "marrë hakmarrje të fuqishme". Zyrtari më i lartë i Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) i ngarkuar me aktivitetet në territoret palestineze tha se Hamasi kishte "hapur dyert e ferrit". Përgjigja e saktë mbetet për t'u parë, por komentet e zëdhënësit ushtarak lanë të kuptohej se Izraeli mund të përpiqet të marrë kontrollin e plotë të Gazës për herë të parë që kur u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga territori në vitin 2005.
Indentifikimi i ushtarakëve të vrarë: Autoritetet izraelite kanë identifikuar 44 ushtarakë dhe 30 anëtarë të shërbimit të sigurisë të vrarë që kur Hamasi sulmoi Izraelin mëngjesin e së shtunës, raporton CNN. Anëtarët e shërbimit të sigurisë që vdiqën ishin policë e oficerë kufitarë dhe anëtarë të Njësisë Kombëtare të Kundër Terrorit të Izraelit, Yamam.
256 palestinezë të vrarë në 24 orët e fundit thonë autoritetet e Palestinës
Të paktën 256 palestinezë u vranë gjatë 24 orëve të fundit, duke përfshirë 20 fëmijë, tha të dielën Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza, raporton CNN.
1788 palestinezë të tjerë janë plagosur, përfshirë 121 fëmijë, tha tutje ministria në një deklaratë.
Hezbollahu merr përgjegjësinë: Grupi libanez Hezbollah lëshoi një deklaratë të dielën duke marrë përgjegjësinë për shënjestrimin e tri vendeve izraelite në një zonë të njohur si Fermat Shebaa duke përdorur raketa dhe artileri.
Përfshirja e Libanit: Fermat Shebaa konsiderohet nga Libani si zonë e pushtuar nga Izraeli. Izraeli iu përgjigj sulmeve duke gjuajtur me artileri në zonën në Liban ku filloi sulmi, bëri të ditur ushtria izraelite. Libani dhe Izraeli konsiderohen si shtete armike, por kryesisht një armëpushim midis dy shteteve është mbajtur që nga konflikti i tyre i fundit në vitin 2006. Ka pasur disa sulme me raketa në shkallë të vogël nga Libani në vitet e fundit, e të cilat kanë shkaktuar sulme hakmarrëse nga Izraeli.























