I mituri dyshohet se planifikoi vrasjen e nxënësve, 30 ditë paraburgim
Edona Podvorica / RTK
Një 16-vjeçari nga Peja, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, nën dyshimin për planifikim të veprave terroriste dhe veprave penale kundër rendit kushtetues.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se është kërkuar arrestimi i të miturit, nën dyshimin për përgatitjen e veprave terroriste.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se është ndaluar i pandehuri me inicialet B.M. për shkak se në periudhë kohore disamujore ka bërë plane dhe është përgatitur për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj disa nxënësve të një shkolle në Pejë”, thuhet në njoftim.
Pas këtij vendimi, Gëzim Kollçaku, avokati i 16-vjeçarit që tashmë ndodhet në paraburgim, ka thënë se prokuroria nuk ka asnjë provë të qëndrueshme se klienti i tij po përgatitej për ta kryer një krim të tillë.
“E kam kundërshtuar fuqishëm kërkesën për caktimin e paraburgimit, meqenëse konsideroj se nuk ka asnjë provë ma të vogël materiale që e vërteton dyshimin e bazuar”, ka thënë Kollçaku.
Paraburgimi i klientit të tij, thotë avokati, ka ardhur pasi prokuroria është bazuar në një koment që i mituri e ka bërë në një video në rrjete sociale, por që kjo sipas Kollçakut, nuk është provë e qëndrueshme. Prandaj ai thotë se qysh nesër në mëngjes do të parashtrojë ankesë.
“Një mesazh që për mua nuk është asgjë. Por për Prokurorinë paska qenë mesazh që nuk bën të shpërndahet”, shtoi ai.
Avokati thotë se familja e 16-vjeçarit janë të tronditur dhe se pohojnë se djali asnjëherë nuk ka reflektuar sjellje negative.























