Ndërtimet në Kosovë, sfidë mbetet numri i vogël i inspektorëve
Valjeta Shala / RTK
Mungesa e inspektorëve për t`i mbikëqyrur vendpunishtet është shqetësuese, thonë ndërtuesit dhe profesorët e ndërtimit. Shoqata e Ndërtimtarëve thotë se është e domosdoshme që të mbikëqyren vendpunishtet dhe kompanitë se a kanë inxhinierë ndërtimi. Ndërkaq, profesorët e ndërtimtarisë thonë se kriteret duhet të respektohen si në Evropë.
Së fundmi, si pasojë e shembjes së dheut në lagjen “Kodra e Diellit”, një veturë përfundojë disa metra thellë punishtes. Kurse dihet se ndërtimaria është një nga sektorët më me zhvillim në vendin tonë.
Në lidhje me këtë, për RTK-në është përgjigjur profesori i Fakultetit të Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës, Cenë Krasniqi.
“Kriteret në ndërtimtari po rriten çdo ditë e më shumë dhe po respektohen, si nga firmat projektuese dhe ekzekutive. Normal kurrë nuk është mjaftë por tek ne është në ngritje e sipër që kriteriumet e ndërtimeve me qenë sikurse në Evropë”, tha Krasniqi.
Edhe kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve në Kosovë, Faton Hoxha, tha se ndërtuesit mundohen që t'i respektojnë kriteret por sfidë mbetet numri i vogël i inspektorëve.
“Ligji për ndërtime dhe udhëzimet administrative e përcaktojnë përgjegjësinë e secilit. Asnjë punishte nuk mund të fillojë pa një inxhinier profesionist. Nuk është gjithçka te ndërtuesi, është nga projektimi e deri te zbatimi. Pastaj numri i vogël i inspektoreve sepse kemi 200 leje ndërtimi që lëshohen në vit”, tha Hoxha për RTK.
Numri i vogël i inspektorëve është adresuar si sfidë edhe nga drejtoria e Inspeksionit në Prishtinë dhe jo vetëm.























